Aleksandër Veselinovic, trajneri i Partizanit i zhgënjyer foli për humbjen e skuadrës së tij. Bylisi i dha leksion Partizanit në shtëpi, pasi e mposhti te “Arena e Demave” me përmbysje. Ballshiotët realizuan 3 gola, duke kthyer disavantazhin e dyfishtë. Tashmë Partizani numëron gjashtë ndeshje radhazi, kampionat dhe kupë, pa fitore.
DEKLARATA E ALEKSANDËR VESELINOVIC
URIMI PËR KUNDËRSHTARIN– Mendoj se është e sjellshme ta uroj Bylisin për fitoren, nuk është rastësisht që na mundën dy herë në kampionat. Përgëzoj tifozët për mbështetjen që na bënë. Për futbollin si fenomen mund të flasim pafund, por duket se nga 2-0 jemi përmbysur në 2-3. Për një analizë më të detajuar duhet të jemi më të qetë, tani nuk është momenti. Sido të jetë, uroj Bylisin për fitoren edhe njëherë.
SITUATA-Nga 2-0 në avantazh, kemi pasur momentet tona por shumë shpejt pastaj 2-1. Kemi pasur situatë dhe nga standardet dhe gjatë lojës për të thelluar rezultatin. Në pjesën e dytë pranuam gola të lehtë dhe kjo rezultoi që Bylisi fitoi ndeshjen. Normalisht që çdokush ka mendimin e vet, për të marrë vendimin e duhur duhet të jemi çdo ditë me futbollistët. Disa lojtarë janë të gatshëm 90 minuta, disa më pak, disa kanë qenë me viruse, disa të lënduar.
HUMBJA E DYTË RADHAZI-Shqetësohem kur humbas ndeshjet dhe nuk dua. Ajo është e vetmja gjë që më shqetëson. Patjetër që për trajnerin ekzistojnë shumë tema që duhet të mendojë. Dorëheqja? Para së gjithash, kjo nuk është temë për mua. Klubi ka mundësinë për të marrë vendimin”, u shpreh Aleksandër Veselinovic për RTSH.