Albano Aleksi duket se po shkon drejt fundit të aventurës së tij me Egnatian. Mesfushori me përvojë është shumë pranë largimit nga kampionët e Shqipërisë, ndërsa klubi ka nisur të bëjë lëvizjet për ta zëvendësuar.
Transferimi i Ledio Beqjas në Rrogozhinë shihet si sinjali më i qartë se Aleksi nuk bën më pjesë në planet e skuadrës. Beqja pritet të marrë rolin e mesfushorit defensiv, ndërsa Altin Kryeziu mbetet një nga pikat fikse të ekipit.
Ndërkohë, për 33-vjeçarin nuk mungojnë ofertat. Tirana, Vllaznia dhe Teuta po monitorojnë situatën dhe janë të interesuara ta afrojnë në këtë merkato verore.
Albano Aleksi ka një të kaluar si te Tirana ashtu edhe te Teuta, ndërsa një transferim te Vllaznia do të ishte një kapitull i ri në karrierën e tij.
Ndeshja e fundit e mesfushorit me fanellën e Egnatias ishte përballë Petrokub në Moldavi, në turin e parë të Ligës së Kampionëve. Ai u ndëshkua me karton të kuq në fund të pjesës së parë, duke humbur edhe sfidën e kthimit, ku Egnatia siguroi kualifikimin për në raundin e dytë.