Erbim Fagu ka shkruar historinë në Holandë. Trajneri shqiptar ka fituar Kupën e Holandës me ADO Den Haag U-19, duke i dhuruar klubit trofeun e parë në këtë kompeticion për moshat. Në finalen e madhe, Den Haag triumfoi me rezultatin bindës 3-0 ndaj AZ Alkmaar, në një ndeshje ku skuadra e drejtuar nga Fagu dominoi totalisht.
Një sukses i madh për 39-vjeçarin shqiptar, i cili vetëm pak muaj më parë përjetoi një situatë krejt ndryshe në futbollin shqiptar. Në vitin 2024, Fagu mori drejtimin e Tiranës në një nga momentet më të vështira të sezonit për bardheblutë. Ai debutoi më 20 shkurt, në barazimin 0-0 ndaj Teutës për Kupën e Shqipërisë, duke marrë përsipër një skuadër në krizë rezultatesh dhe presioni.
Në total, Fagu drejtoi Tiranën në 16 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, duke regjistruar 6 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje. Edhe pse nuk arriti ta çonte skuadrën në “Final Four”, bardheblutë siguruan pjesëmarrjen në kupat e Europës falë triumfit të Egnatias në Kupën e Shqipërisë.
Megjithatë, në fund të sezonit, Fagu u largua nga Tirana mes shumë kritikash dhe u konsiderua nga një pjesë e opinionit sportiv si i “papërshtatshëm” për pankinën bardheblu. Ironikisht, vetëm pak kohë më vonë, në Holandë ai po merr vlerësime maksimale për punën e tij me të rinjtë e ADO Den Haag.
Triumfi ndaj AZ Alkmaar shihet si një arritje historike për klubin holandez dhe një reklamë shumë e mirë edhe për trajnerët shqiptarë jashtë vendit. Fagu jo vetëm fitoi trofeun, por e bëri këtë me futboll bindës dhe duke zhvilluar një skuadër të re që ka marrë shumë elozhe gjatë sezonit.
