Kombëtarja shqiptare është gati të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme. Më 12 tetor kuqezinjtë do të presin Republikën Ceke, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, ndërsa përballja tjetër do të jetë më 17 tetor sërish në Tiranë, në një miqësore kundër Bullgarisë.
Trajneri Silvinho ka shpallur listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar për këto dy sfida. Ajo që bie në sy është rikthimi i Armando Brojës me fanellën kuqezi, ndërsa është lënë jashtë Odise Roshi, që në listën e muajit shtator ishte i pranishëm. Rikthimi i sulmuesit të Chelsea-t ka spostuar Arbnor Mujën në listën e mesfushorëve. Pjesa tjetër nuk ka ndryshime, duke konfirmuar grupin e lojtarëve, që ishte i impenjuar edhe në ndeshjet me Republikën Ceke dhe ndaj Polonisë, sfidë fituar 2-0 nga kuqezinjtë.