Trajneri i skuadrës së Vorës, Artan Mërgjyshi, i është gëzuar fitores 4-2 të skuadrës së tij në ndeshjen hapëse të Kategorisë së Parë në këtë sezon ndaj një emri me shumë traditë si Besa, Ai nuk ngurroi të theksonte që skuadra e tij, edhe pse me pak histori në krahasim me emrat e tjerë, do të tentonte të bënte maksimumin ndaj kujtdo.
“Skuadra ka potencial, në pjesën e dytë u shpreh më lirshëm, djemtë shënuan tre gola. U bë lojë e hapur, edhe pse me shumë ndalesa. Por kjo fitore jep besim dhe rrit besimin për forcën tonë dhe potencialin që kemi. E dimë që do të jetë e vështirë, sot u pa, pavarësisht rezultatit. Por kemi besim se kemi një skuadër me kualitet besoj.
Ne jemi të kujdesshëm për t’u shprehur për objektiva, jemi të krijuar rishtazi. Nuk kemi frikë askënd, dimë potencialin tonë, por dimë që është kampionat i vështirë, i marrim javë për javë. Nuk dua të shprehem për objektiva a madhorë, objektivi i radhës është ndeshja me Elbasanin. Nuk është se i druhemi ndokujt, kemi ndeshjen e radhës në Elbasan dhe do ta luajmë si ndeshje radhe, jo finale, se nuk varet fati i kampionatit dhe objektivat e sezonit te kjo ndeshje. Duke respektuar maksimalisht kundërshtarin, edhe pse kanë bërë merkato, ne nuk jemi mangët cilësisht, tha për “MCN” trajneri Mërgjyshi.