Sali Berisha ka folur për herë të parë si kryetar i Partisë Demokratike, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Mrekulli shqiptare e quajti Berisha votën e lirë të demokratëve që u demonstrua dje nga 43 mijë e 680 anëtarë të PD në të gjithë vendin.
“U krye! U krye, jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë shqiptare e Shqipërisë në shekullin të 21”, ishin fjalët e para të Berishës.
Kreu i PD shprehu mirënjohje për demokratët që në këto muaj rikthyen vlerat e lirisë, duke bërë historinë në vend, ndërsa solli në vëmendje mesazhet e James Baker në Tiranë 31 vitë më parë.
Duke deklaruar se Shqipëria është nënshtruar nga një regjim, Sali Berisha nuk ka kohë për të humbur dhe jo pa qëllim u shpreh se demokratët janë në mision për të ndryshuar larguar qeverinë ‘Rama’ dhe transformuar vendin.
Nuk kam ndonjë fjalim të gjatë sot, por kam një përulje të madhe, dhe një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata burra dhe gra, djem e vajza që në një hark kohor ngadhënjyen si njerëz të lirë në një proces që do të regjistrohet në historinë e lirisë së shqiptarëve si mrekullia e vërtetë e shekullit të 21-të. 31 vite më parë, një mik i madh i kombit tonë në vizitën e tij historike, Baker, do t’u thoshte shqiptarëve se ju do jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Dëshmitar i pengesave të jashtëzakonshme, por anëtarët dhe anëtaret e PD, njerëz të idealeve më të larta, më fisnike, njerëz të lirë, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm.
Ndaj dhe mirënjohja shkon drejt të gjithë atyre. Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata anëtarë që sot këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur si qytetarë të lirë kryetarin e Partisë Demokratike. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, detyrim shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju, ne do t’ia dalim, ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza, që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohin PD t’i njohë shoqëria shqiptare dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton”, u shpreh Berisha.