Viti 2020 ishte një vit i vështirë për sektorin e turizmit i cili në dy vitet paraardhëse përjetoi një “bum” të jashtëzakonshëm.
Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2020, ishin 360.343, me rënie 48,1% në raport me nëntorin 2019. Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri në 11-mujorin 2020 ishte 2.477.003, duke rënë me 59,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Gjatë 11 muajve të 2020, Kosova kishte rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 40,4%, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Nga gjithë operatorët e sektorit të turizmit, viti 2020 u cilësua si një vit mbijetese dhe sytë janë hedhur tek ky vit.
2021-shi mbetet i paqartë sa i takon ecurisë. Tur-operatorët të cilët prej vitesh po sillnin turizmin e organizuar të polakëve, çekëve, nordikëve e gjermanëve, të përqendruar në zonën e Golemit, shprehen se kontaktet me agjencitë e huaja mbeten aktive. Por askush në situatën e pandemisë globale, nuk thotë dot me siguri se çfarë do të ndodhë me sezonin e ardhshëm veror.
Ndaj edhe pse kontratat janë nënshkruar për këtë vit, ato janë lënë me të drejtë rishikimi në muajin mars, duke parë edhe drejtimin që do të marrë pandemia. Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, tha për “Monitor” se numri i kontratave këtë vit është i njëjtë me vitin më të mirë turistik të Shqipërisë që ishte 2019-a, por gjithçka mbetet për t’u qartësuar në muajt e parë të këtij viti.
“Kontratat janë bërë me garanci dhe premtuese për vitin 2021. Janë në të njëjtat shifra në vitin 2019. Operatorët që kanë qenë të pranishëm në verë, si polakët, i bënë dhe negociatat. Për shkak të pasigurisë dhe paqartësisë që ka pandemia, është kërkuar nga agjencitë e huaja që tani të bëhet rezervimi i dhomave me kontratë, por në mars të rishihet edhe një herë kjo pjesë.
Nëse pandemia nuk do të jetë më një faktor shqetësues, këto kontrata do të kalojnë automatikisht në formën e garancisë dhe do të bëhen edhe pagesat. Nëse situata do të ketë kufizime, atëherë hyn në fuqi forca madhore dhe ato mbeten të ngrira.
Pra në mars do të bëhet rikonfirmimi për këtë pjesë. Në njëfarë mënyre, të gjithë kanë të drejtë, pasi edhe klientët nuk blejnë paketa në kushte të tilla. Ne e testuam këtë vit dhe për shembull kishim 5 chartera në javë nga polakët, kurse një vit më parë, 22 të tillë. Patëm një muaj e gjysmë sezon, sepse më pas e mbylli qeveria polake daljen drejt Shqipërisë. Vitin tjetër, mendoj se nëse situata do të përmirësohet, do të respektohen të gjitha kontratat” tha Kasa. Të njëjtë gjë konfirmon edhe Ben Çipa, nga “Sipa Tours”, që operon gjithashtu në turizmin e organizuar.
“Si polakët, edhe turistët nga vendet skandinave, po operojnë njëlloj me negocimet, pasi është hera e parë që të gjithë përballemi me një situatë si pandemia. Kemi negociuar për kontratat, sipas çmimeve në parim.
Kjo do të thotë se kemi përcaktuar se me çfarë tarife do t’i marrin dhomat, por nuk ka pagesë paraprake. Këtë pjesë do ta rishikojmë në mars, nëse situata është pozitive dhe të gjitha do të kalojnë automatikisht në kontrata me garanci, duke bërë dhe pagesat. Kjo është një klauzolë që po përdoret në masë në kushtet e pandemisë.
Kontratat për vitin tjetër me nordikët janë ato ekzistuese trevjeçare. Tregu polak ka kontrata të reja. Për atë belg dhe anglez, ne si agjenci kemi pasur kontrata të bëra dy vjet më parë, por janë anuluar, për shkak të pandemisë, pasi hyn në fuqi klauzola e forcës madhore” – tregon ai.
Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”, një prej rrjeteve më të mëdha të hoteleve në zonën e Golemit që prej vitesh pret turizmin e organizuar të nordikëve, por jo vetëm, pohoi se në vitin 2020 vendimtar ishte turizmi patriotik. Në këtë kontekst të vështirësisë së pandemisë, z. Çerenishti nënvizoi se në vazhdim, pavarësisht fokusit drejt tregjeve europiane do të ketë edhe një vëmendje për tregun e rajonit dhe kryesisht për Kosovën.
Ai parashikon që muaji janar i këtij viti do të jetë më i vështiri ndërsa deri në mars, sektori pritet të vuajë pasojat e kufizimeve të pandemisë por edhe faktit që tradicionalisht nuk ka aktivitet në këtë periudhë. Çerenishti thekson se do të ishte me vlerë të shihej mundësia e mbështetjes së të punësuarve në sektorin e turizmit duke mos kirjuar një dëm të parikuperueshëm ku është investuar ndër vite, për trajnime e përgatitje.
Edhe Blerim Norja, Drejtor Ekzekutiv i “Royal G”, parashikon që fillimi i vitit 2021 të jetë i vështirë ndërkohë që ndryshimi i panoramës së pandemisë në kahun pozitiv mund të ndihet direkt në sektor. Ai thotë se sezoni i kaluar ishte një përpjekje mbijetese për shumicën e strukturave akomoduese ndërsa që për vitin 2021, ka interes të lartë për Shqipërinë por gjithçka mbetet për t’u parë.
Burimi: Monitor