Tirana ka reaguar me një postim përmes rrjeteve sociale duke hedhur poshtë çdo emër, që është përmendur deri tani si afrim i ri në merkato. Një prej tyre është Gabriel Olamide Ogungbire, që luan me Shirokën.
NJOFTIMI I TIRANËS:
Gjatë javës së fundit, në opinionin publik dhe mediatik janë servirur si fakte të mirëqena një seri spekulimesh lidhur me interesimin e pretenduar të KF Tirana për lojtarë të caktuar.
KF Tirana dëshiron të sqarojë se asnjë prej emrave të përmendur në këto raportime nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e diskutimeve, negociatave apo planeve sportive të klubit tonë.
Keqinformime të tilla kanë krijuar paqartësi të panevojshme brenda ambientit të klubit dhe, në raste të caktuara, duken se i shërbejnë interesave që nuk përputhen me ato të KF Tiranës.
Ftojmë mediat, gazetarët dhe opinionbërësit të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi profesionale në publikimin e lajmeve të merkatos, veçanërisht kur ato janë të pakonfirmuara dhe kategorizohen qartësisht si “fake news”.
KF Tirana mbetet e angazhuar të komunikojë me transparencë dhe seriozitet vetëm nëpërmjet kanaleve të saj zyrtare.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje tifozëve, partnerëve dhe gjithë opinionit sportiv t’u referohen ekskluzivisht faqeve zyrtare të klubit për çdo informacion të saktë dhe të konfirmuar mbi çështjet sportive dhe institucionale.
Për të shmangur çdo paqartësi, sqarojmë dhe konfirmojmë se asnjë prej emrave të përfolur gjatë kësaj jave nuk kanë qenë dhe as nuk do të jenë objektivi i KF Tiranës”.