Trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dhënë një intervistë të gjatë për të përditshmen sportive italine, “Gazzetta dello Sport”. Në synimet e tij ai nënvizon, rikthimin e Shqipërisë në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe kualifikimin në fazën finale të Euro 2028-ës. E për realizimin e këtyre objektivave, Marani do të vijë të jetojë në Tiranë e do të mësojë të flasë shqip.
Rolando Maran ka vendosur të ndryshojë jetën e tij. Në moshën 62 vjeç, për herë të parë do të jetojë jashtë Italisë, do të të stërvitë një ekip kombëtar dhe e qëllimi nuk është mbijetesa apo ngjitja në kategori, por një kampionat evropian. E për këto ndryshime në jetën dhe karrierën e tij, Gazzetta dello Sport, e përdithshmja sportive italiane, i ka kushtuar një intervistë të gjatë trajnerit të kombëtares shqiptare.
“Kur më thirri Shqipëria u emocionova. Eshtë një komb me krenari të jashtëzakonshme dhe një ndjenjë të lartë përkatësie. Për ta njohur më mirë vendin, traditën dhe njerëzit, do të jetoj në Tiranë. Të dielën do të transferohem atje dhe do të filloj punën e vërtetë. Qyteti është i bukur, me mikpritje të jashtëzakonshme”.
Për këtë vendim Maran është konsultuar edhe me Gianni De Biasi, i cili e udhëhoqi Shqipërinë drejt finaleve në Euro 2016. “Xhanin e kam mik, ai ishte personi i parë që u konsultova. Më tha se nuk kishte dyshime, se po bëja zgjedhjen e duhur. Dhe se Shqipëria kishte bërë zgjedhjen e duhur me mua. Kjo më bëri të lumtur. Çuditërisht, pata folur edhe me Igli Taren 20 ditë më parë në Milanello. Nuk e kisha imagjinuar se do të stërvisja pikërisht ekipin e tij kombëtar”.
Rolando Maran vjen me synime të mëdha në krye të kombëtares kuqezi. “Qëllimi është të kthehemi në Ligën B në Nations League dhe të kualifikohemi në Euro 2028. Ëndërroj të arrij rezultate të shkëlqyera dhe të shkruaj histori. Falënderoj presidentin Duka, për zgjedhjen e tij: stadiumi i Tiranës më la pa fjalë, mezi pres të stërvitem atje. Dua të shikoj sa më shumë seanca stërvitore dhe të mësoj shqip për të folur me lojtarët. Do të doja të stërvitesha në mënyrën që kam luajtur gjithmonë: proaktiv, vertikal dhe luftarak. Arritja e rezultateve përmes djersës dhe përpjekjes është në ADN-në e këtij kombi”.