Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: evropa

  • Greqi: Mosmarrëveshje për energjinë e erës/ Ambientalistët dhe banorët japin alarmin

    Greqi: Mosmarrëveshje për energjinë e erës/ Ambientalistët dhe banorët japin alarmin

    Ishujt e Egjeut po përballen me ndryshime të thella. Qeveria greke ka miratuar ndërtimin në shkallë të gjerë të turbinave me erë. Ambientalistët dhe banorët po japin alarmin për dëmet e mëdha ndaj natyrës dhe turizmit.

    Ishullin grek Tinos e quajnë “i punuar me dorë” për shkak të mureve shekullore dhe shtigjeve që e përshkojnë. Një trashëgimi unike kulturore, që arkitektja Ioanna Papastathopoulou do patjetër ta mbrojë. Por shtigjet historike në Tinos, ndërtuar tërësisht pa llaç, vetëm prej guri, dhe mullinjtë e erës që ngritën 300 vjet më parë paraardhësit e saj tani duhet t’u lënë vendin turbinave me erë.

    Tinos

    Ioanna na tregon vendin ku investitorët privatë sapo kanë përfunduar themelet për tri turbina të mëdha. Janë planifikuar edhe pesëmbëdhjetë të tjera. Ioanna dhe shumë banorë të ishullit kanë frikë se Tinos mund të humbasë karakterin e tij tipik. Si Maravelliasi, që jeton me familjen e tij në Kardiani, jo shumë larg nga turbinat e planifikuara. Sipas skulptorit kultura e Greqisë është në rrezik: “Malet kanë qenë gjithnjë selia e perëndive. Tani vendin e tyre e kanë zënë paratë, të gjitha aktivitetet vërtiten rreth parasë.” Ai na tregon video nga protestat që ata kanë organizuar. Një njësi e policisë speciale i rrahu atë dhe demonstruesit e tjerë. Një përvojë tronditëse.

    Idile të rrezikuara

    Dy orë larg me traget gjendet ishulli Ikaria. Ai është i njohur sidomos për natyrën e paprekur. Zona të tëra me bimë të rralla janë nën mbrojtje, veçanërisht në male.

    Ikaria

    Por edhe këtu idili mund të marrë fund së shpejti. Ishulli do të bëhet një nga furnizuesit më të mëdhenj me energji elektrike për Athinën. Grupi privat Mytilineos po planifikon 110 turbina me erë. Ambientalistët janë të alarmuar. “Ato do të vendosen në mes të zonave të mbrojtura për zogjtë, kjo do të jetë katastrofë. Për këtë duhet të sheshohet i gjithë vargmali. Dhe Ikaria do të bëhet zonë industriale.” – thotë Ilias Gianniris.

    Planet nuk janë ende konkrete, por Ilias Gianniris ka nisur të informojë banorët e ishullit për pasojat e mundshme, sepse, Ikaria ka pasur përvoja të këqija me projekte të mëdha: dikur një luginë e lulëzuar, e ngjashme me këtë, u kthye në një peizazh hënor pasi u ndërtua termocentrali hibrid. Erozioni në ishull është tashmë i pamasë. Shpate të tëra vazhdojnë të rrëshqasin, sidomos aty ku janë ndërtuar rrugë të mëdha.

    Malet e ishullit ofrojnë strehë jo vetëm për delet dhe dhitë. Edhe shumë bletarë kanë bletët e tyre këtu. Nëse këtu do të kishte turbina me erë, Vangelis do t’i duhej të lëvizte bashkë me bletët e tij: “Kjo do të ishte keq për bletët. Nuk mund t’i vendos kosheret pranë turbinave të erës sepse ka rrezatim elektromagnetik. Kjo mund të bëjë që bletët të humbasin orientimin.”

    Kryetari i bashkisë, Nikos Kalambogias e kupton shqetësimin. Para nëntë vjetësh u zhvilluan bisedime me investitorë për parkun e erës e pastaj: heshtje. Kryetari i bashkisë shqetësohet gjithashtu për aktivitetet në ishujt fqinjë. Disa turbina të vogla ere, ok. Po 110?  “Ne do të protestojmë, dhe ky nuk është vetëm mendimi im personal. Të gjithë në këshillin bashkiak dhe administratën lokale janë dakord”, thotë Kalambogias. Turbinat e para janë ngritur ndërkohë dhe deri në vitin 2025 Ikaria do të lidhet me kabllo nënujore me Athinën. Deri atëherë, investitori dëshiron t’i rishikojë planet e tij dhe t’i bëjmë miqësore ndaj mjedisit. Por vështirë se dikush në Ikaria e beson këtë.

    Burimi: DW

  • BE do të veprojë kundër lajmeve të rreme “fake news”

    BE do të veprojë kundër lajmeve të rreme “fake news”

    Një komision i posaçëm i Parlamentit Europian do të zbulojë dhe luftojë ndikimin e huaj kibernetik. Sidomos në kohët e Coronës fushatat dezinformuese janë shtuar, beson BE.

    Në pranverë Brukseli ngriti alarmin: „Në kohën e krizës së Coronës, Europa është përmbytur nga fushata dezinformuese”, thotë zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova. Këto fushata nuk janë të rrezikshme vetëm për arsye shëndetësore, ato synojnë hapur gërryerjen e besimit tek qeveritë dhe mediat.

    Si shembull KE merr rritjen e menjëhershme të numrit të kundërshtarëve të vaksinës në Gjermani. Në më pak se dy muaj, sipas një studimi, gatishmëria për vaksinim në Gjermani ra me 20%. Pretendimi tjetër i përhapur në mediat sociale, se pirja e lëndëve zbardhuese ndihmon kundër Coronës shihet po ashtu si një përpjekje për çorientim. „Dezinformimi në kohët e pandemisë së Coronës mund të vrasë”, thotë i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell.

    Sidomos teoritë konspirative gëlojnë në internet. Njëra prej tyre thotë, se luftimi i virusit dikur do të përdoret si pretekst për vaksinimin masiv të popullsisë apo që themeluesi i Microsoftit, Bill Gates bashkë me BE duan të përgjojnë njerëzit.

    Propagandë dhe sulme kibernetike

    Pikërisht për të luftuar këto fushatë, Parlamenti Europian ka krijuar një komision të posaçëm që fillon tani nga puna. E në fokus të komisionit nuk do të jetë vetëm Corona. Pas fushatave, BE shikon përpjekje sidomos të Kinës apo Rusisë për të rrënuar demokracitë në BE dhe me këtë të dobësojë Bashkimin Eurooian dhe rolin e tij në botë.

    Ky komision do të identifikojë në fillim hapësirat, se ku përhapen informacionet e rreme. Njëra prej tyre duket se qëndron në përpjekjet për ndikimin në zgjedhje. Pak para zgjedhjeve europiane, deputetë të Parlamentit Europian janë ankuar për propagandë masive nga Rusia. Deputetët kanë raportuar jo vetëm për dezinformim, por edhe për sulme kibernetike apo në infrastrukturën zgjedhore. Dhe aktorë të caktuar politikë që janë të afërt me porositësit në vende të treta i mbështesin ata direkt ose jo direkt. Kështu ka dyshime se populistja e djathtë dhe ish-europarlamentarja, Marine Le Pen ka marrë fonde nga Kremlini. Le Pen i ka kritikuar gjithmonë sanksionet kundër Rusisë.

    Platformat e mëdha luajnë rol kryesor

    Partnerët kryesorë të BE në këtë luftë janë platformat e mëdha online si Facebook, Twitter dhe Google. BE kërkon t’i detyrojë ata ta veprojnë më ashpër kundër informacionit të gabuar dhe të ofrojnë të dhëna tek studiuesit. “Nuk ka një bashkëpunim strukturor mes platformave dhe bashkësisë studimore”, bëri të ditur KE para pak ditësh. “Platformat duhet të bëhen më të përgjegjshme, më transparente, e t’u kërkohet më shumë llogari”, thotë zëvendëspresidentja e KE, Jourova. Komisionit nuk i mjaftojnë masat e marra nga vetë gjigandët e mediave sociale. Së shpejti do të publikohen propozimet e reja.

    Që në qershor, kur u krijua komisioni i posaçëm, KE ka kërkuar nga platformat online që të bashkëpunojnë ngushtë me verifikuesit e fakteve dhe të ofrojnë raportim mujor për punën e tyre në luftë kundër informacioneve të falsifikuara. Rezultate pozitive vihen re që tani, sipas Brukselit. Burimet e besueshme bëhen më prezente, lajmet çorientuese hiqen. Facebook dhe Instagram i janë referuar autoriteteve shëndetësore si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kanë hequr reklamat e produkteve mjekësore të fallsifikuara apo shumë të shtrenjta.

    Ku fillon censura?

    Federata Europiane e Gazetarëve, Këshilli Europian i Botuesve dhe Shoqata e TV-privatë në Europë mendojnë, se këto masa nuk mjaftojnë. Europa i beson më shumë se duhet vullnetit të mirë të aktorëve të rëndësishëm online, shkruajnë këto organizata në një deklaratë të përbashkët në korrik dhe kërkuan sanksione “të efektshmme”, nëse koncernet nuk i përmbajne kodit të mirësjelles.

    Ka edhe një vështirësi tjetër: Verifikuesit e fakteve veprojnë në një territor të pasigurtë. Shpesh nuk është e lehtë të përcaktosh fake news e t’i dallosh ato nga shprehja e një mendimi ndoshta ekstremist. Kritikët i tremben ndërhyrjeve në lirinë e mendimit. “Nuk dua të krijoj ministrinë e së vërtetës”, tha Vera Jourova para komisionit. Edhe komisioni i posaçëm i parlamentit duhet të përballet rregullisht me këtë problem në luftën kundër fake news.

    Burimi: DW

  • Si do të zgjidhet problemi me azilkërkuesit në Greqi?

    Si do të zgjidhet problemi me azilkërkuesit në Greqi?

    Problemet në kampet greke për refugjatë nuk janë të reja. Por zjarri në Moria ka hedhur një hije të rëndë mbi gjendjen e refugjatëve dhe tregon të gjitha dështimet e deritanishme evropiane në kampe.

    Si mund të zgjidhet kriza në Lesbos, pas zjarrit në kampin e refugjatëve në Moria? Athina dhe Brukseli po kërkojnë përgjigje.

    Greqia kërkon kampe të mbyllura

    Ministri grek për mbrojtje civile, Michalis Chrysochoidis, deklaroi të hënën se asnjë refugjat nuk mund të largohet nga kampi i refugjatëve në ishullin Lesbos. Së pari duhet të regjistrohen në kampin Kara Tepe dhe të testohen nëse janë të infektuar me virusin Corona. Më pas do të vendoset se ku mund të strehohen ata, a mund të kthehen prej nga kanë ardhur apo do të lejohet të shkojnë në ndonjë vend tjetër në brendësi të Greqisë.

    Shteti grek, siç tha ministri, nuk mund të lejojë të shantazhohet. Në Greqi mendohet se azilkërkuesit e kanë djegur qëllimisht kampin në Moria, për të detyruar autoritetet që t’u lejojnë atyre që të largohen nga Moria. Qeveria greke ka frikë se kjo mund të ndodhë edhe në kampet e tjera, në qoftë se tani fillon evakuimi i refugjatëve në Lesbos.

    Gjermania do të marrë një kontigjent të refugjatëve

    Gjermania ka vendosur të marrë një grup prej 150 refugjatësh minorenë si dhe 1500 refugjatë të tjerë nga Lesbosi dhe venstrehimet e tjera në Greqi. Qeveria greke pohon se kjo mund të ndodhë vetëm pas regjistrimit të refugjatëve dhe testimit me virusin Corona. Qeveria greke nuk ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Gjermania. Rreth 400 refugjatë të moshës minorene janë dërguar ndërkohë në brendësi të Greqisë.

    Sa i madh do të jetë kampi Kara Tepe?

    Të dhënat për ndërtimin e një kampi të ri në Lesbos nuk mund të konfirmohen deri në fund. Ministri grek për migracion Notis Mitarachi thotë se brenda një jave do të ndërtohet një qendër për personat pa kulm mbi kokë, pra rreth 12000, sa janë vendosur për momentin nën tenda. Kapaciteti i kampit të mëparshëm ka qenë 5.000.

    Deri të hënën në mbrëmje janë rregulluar vendstrehimet për 800 persona. Migrantët njoftojnë se gjendja e furnizimit me gjërat elementare për jetë është e keqe. Mendohet se do të kalojnë javë e ndoshta edhe muaj deri sa të 12000 refugjatët të testohen nëse janë infektuar me virusin Corona.

    Mangësi të mëdha prej kohësh

    Organizimi i vendstrehimeve për refugjatët në Lesbos ka pasur probleme të mëdha prej kohësh. UNHCR dhe shumë organizata të tjera raportojnë për kushte “jonjerëzore” në kampe.  Moria kishte një kapacitet për 3.000 persona, ndërsa atje ishin strehuar 12.000 vetë.

    Procedura e azilit në Moria ishte parashikuar të zgjasë “vetëm disa javë” dhe më pas ata të kthehen në Turqi, prej nga kanë ardhur, që ishte pjesë e marrëveshjes me Turqinë. Personat që nuk kanë asnjë shans për azil është dashur të kthehen në vendlindje. Por asnjëra prej këtyre marrëveshjeve nuk ka funksionuar, që ka shkaktuar një grumbullim të rreth 40.000 azilkërkuesve në Greqi. Komisioni i BE bën të ditur se prej vitit 2016 – 2019 në Turqi janë kthyer vetëm rreth 2000 sirianë.

    BE vazhdon konsultimet, por vendime nuk ka

    Procedurat e azilit në Greqi zgjasin shpesh me muaj, e ndonjëherë edhe me vite. Procedurat në Lesbos janë stërzgjatur ndonëse atje janë vendosur edhe forcat “Frontex” dhe “EASO”, për të ndihmuar. Nëpunësit evropianë megjithatë nuk kanë të drejtë të vendosin. Kjo u takon nëpunësve grekë.

    Propozimi i Merkelit

    Deri tani nuk është i qartë qëndrimi i kancelares Merkel për kampet në Greqi. Merkeli dhe komisionerja Ursula von der Leyen deklaruan të hënën se në Lesbos duhet të ketë një kamp, i cili drejtohet nga Frontex dhe EASO, së bashku me autoritetet greke. Por diplomatët në Bruksel thonë se pikërisht kjo nuk ka funksionuar në të kaluarën.

    Komisioni i BE do të paraqesë të mërkurën në samitin e BE, propozimet e veta për zgjidhjen e situatës. Propozimet parashikojnë reformimin e sistemit të azilit në Evropë. Këto propozime parashikojnë edhe shpërndarjen e azilkërkuesve me të drejtë azili, por mbi bazën vullnetare. Ndërsa ministri i Brendshëm Horst Seehofer propozon një mbrojtje më të mirë të kufijëve të jashtëm të BE dhe që në Greqi të vendoset për kërkesat për azil, me qëllim që dëbimet të bëhen prej atje.

    Mbajtja e azilkërkuesve është kundër ligjit

    Gjykata Evropiane ka vendosur në majt të vitit 2020, në një proces për Hungarinë, se mbajtja e azilkërkuesve në kufijtë e jashtëm të BE është e mundur vetëm katër javë. Ndërsa futja e tyre në vendstrehime të mbyllura është në kundërshtim me ligjin, sepse i ngjan burgosjes. Nëse ky vendim do të luajë ndonjë rol edhe në Greqi dhe Lesbos, mbetet të shihet.

    Aktualisht në BE ekzistojnë rregullat sipas së cilave përgjigja ndaj kërkesave për azil duhet të jepet më së largu pas gjashtë muajve. Këtë rregull e kanë shkelur jo vetëm Greqia por edhe vendet tjera të BE. Tani vendet e BE duhet të vendosin se cilat vende duhet të vendosin në procedurën e azilkërkimit. Para shpërthimit të pandemisë Corona, Greqia planifikonte modernizimin e ligjeve. Por deri tani nuk ka kurrfarë rezultati në këtë drejtim.

    Burimi: DW

  • Shqipëria e pesta në Europë për peshën e lartë të vdekjeve nga zemra/ Ja qytetet më problematike (Shifrat)

    Shqipëria e pesta në Europë për peshën e lartë të vdekjeve nga zemra/ Ja qytetet më problematike (Shifrat)

    Shqipëria u rendit e pesta në Europë sa i përket peshës së lartë të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut (zemra, tensioni), pas Bullgarisë, Rumanisë, Lituanisë dhe Letonisë.

    Me zemër më të dobët në Europë janë bullgarët, ku 66% e totalit të vdekjeve erdhi nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të ndjekur nga Rumania (58%), Lituania (57%), Letonia (55%) dhe Shqipëria (53.7%). Pas Shqipërisë renditet Serbia me 51.9%.

    Të dhënat për vendet e BE-së dhe disa shtete të tjera janë dhënë nga Eurostat, dhe i referohen vitit 2017, për Shqipërinë nga INSTAT, ndërsa përpunimi i shifrave të Eurostat dhe krahasimi është bërë nga “Monitor”.

    Në vitin 2019, në Shqipëri, nga sëmundjet e qarkullmit të gjakut ndodhën 53.4% e vdekjeve, me një rënie fare të lehtë në raport me 2017-n.

    Në Europë, peshën më të ulët të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut e kanë Danimarka (23.4%), Mbretëria e Bashkuar (25.1), Holanda (25.7).

    Për vdekjet nga tumoret, Shqipëria, së bashku me Bullgarinë, renditet në fund, duke pasur peshën më të ulët, me rreth 16% të totalit të humbjeve të jetëve. Rekordin e mbajnë Slovenia dhe Holanda, me rreth 31-32%.

    Sëmundjet respiratore janë shkaku i tretë i vdekjeve në Europë, por në Shqipëri ka nivelin më të ulët me 2.9% të totalit. Rekordin e mban Mbretëria e Bashkuar, me rreth 14%.

    Qytetet me zemër më të dobët në vend, rriten vdekjet te meshkujt e rinj.

    Jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe ekspozimi i lartë ndaj alkoolit dhe ndaj duhanit po i vret shqiptarët dhe më së shumti meshkujt që çdo vit e më shumë po humbasin jetën nga infarktet dhe goditjet në tru. Alarmante është ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje për meshkujt nën moshën 50 vjeç.

    Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se më 2019-n kanë humbur jetën nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut 32 persona në ditë.

    Në total 11,704 persona kanë humbur jetën nga zemra ose tensioni, ose 53% e totalit të vdekjeve natyrale.

    Meshkujt përbëjnë dhe përqindjen më të lartë të humbjes së jetëve nga kjo sëmundje, me 51.5%, përkundjet 50% të grave.

    Në vitin 2019 është konstatuar një rritje e lartë e vdekshmërisë nga zemra dhe tensioni në grupmoshën e meshkujve 45-49 vjeç (+17%) dhe 55-59 vjeç (+4.6%)

    46% e vdekjeve të meshkujve nga kjo sëmundje ishin të grupmoshës nga 40-59 vjeç, kundrejt 43% që ishte një vit më parë.

    Mjekët pohojnë se vdekjet më të larta tek meshkujt i atribuohen stilit te jetesës më së shumti. Doktor P. Malaj thotë se, meshkujt janë të ekspozuar më shumë ndaj pirjes së duhanit, alkoolit, dietës së pa kontrolluar dhe punëve të rënda që rëndojnë sëmundshmërinë dhe sidomos sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

    Në të gjithë vendin, në 2019-n kishte 4.1 vdekje për 1000 banorë, për sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rritje të lehtë në raport me 4, që ishte ky tregues një vit më parë.

    Sipas qarqeve, qyteti me vdekjet më të larta nga zemra dhe tensioni, në raport me popullsinë është Berati, me 5.3 vdekje për 1000 banorë, me rritje në raport me vitin e mëparshëm (shih grafikun).

    Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila ka shënuar një rritje të lartë të humbjeve të jetës nga zemra dhe tensioni në 2019-n (+8%), me 77 jetë të humbura më shumë, duke u ngjitur në 5.3 vdekje për 1000 banorë, nga 4.8% që ishte ky tregues vitin e mëparshëm.

    Më pas renditen Korça e Gjirokastra (5.1 secili) , Vlora (4.9), Dibra (4.4).

    Zemrën më të fortë e kanë Tiranasit (3.5 vdekje për 1000 banorë), durrsakët (po 3.5) dhe elbasanllinjtë (3.4)./Monitor