Emanuel Egbo preferoi të mbajë të fshehtë formacionin për ndeshjen kundër Crvena Zvezda për raundin e dytë eliminator të Champions League. Edhe në seancën e fundit stërvitore të zhvilluar në “Selman Stërmasi”, tekniku bardheblu nuk zbuloi asgjë nga strtadegjia që ka zgjedhur për të tentuar kualifikimin ndaj kampionëve serbë.
![](https://klikoje.al/wp-content/uploads/2020/08/118379955_2664256260497146_7229488767345354422_o-525x350-1.jpg)
Por sipas të gjitha gjasave, skuadra që do të zbresë në fushën e “Air Albania” sot në orën 20:00 nuk do të ketë shumë ndryshime nga ajo që fitoi në transfertën kundër Dinamo Tbilis. Dilema e vetme ka të bëjë me krahun e majtë të mbrojtjes. Hoxhallari është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe kërkon të marrë vendin e Ismajlgecit, titullar dhe autor i golit të dytë në sfidën e javës së shkuar. Nuk priten lëvizje të tjera, megjithëse duke njohur vlerat e kundërshtarëve detyrat taktike të bardhebluve do të jenë të ndryshme.
![](https://klikoje.al/wp-content/uploads/2020/08/Untitled-600x318-1.png)
Kështu, edhe një herë porta do t’i besohet Likës, ndërsa përpara tij do të rreshtohen Toshevski në të djathtë dhe dyshja Najdovski-Vangjeli në qendër. E pandryshueshme vija e parë e mesfushës, ku si gjithmonë do të luajnë Batha e Çelhaka. Asnjë risi edhe në repartin ofensiv. Kobinah, Torasa dhe Kale do të ndihmojnë Ernest Muçin si sulmuesin e vetëm të deklaruar. Me të gjithë grupin e lojtarëve në dispozicion, Egbo ka mundësi të ndryshojë gjatë ndeshjes, por ka pak mundësi të ketë surpriza në 11-shen e parë.