Me arra apo bajame, e sherbetosur dhe e shkrifët, sheqerparja mbetet ndër recetat më unike të amvisave shqiptare.
Tradita shqiptare e ëmbëlsirave është e pasur me receta të mrekullueshme por ajo e sheqerpares është padyshim më e veçanta.
Është gostia më e mirë për miqtë, ëmbëlsia më e dashur për familjen e sigurisht receta për të cilat të gjitha trevat shqiptare krenohen se është traditë e tyre.
Dibra ka recetën e saj fantastike, aq sa prej dekadash tashmë njihet emërtesa e Sheqerpare Dibrane.
Elbasani e Tirana po ashtu si edhe qytetet jugore, Berat, Gjirokastër a Korçë krenohen për traditën e tyre të sheqerpares, e cila në fund të fundit mbetet shqiptare.
Receta e famshme të përgatitjes së sheqerpares në shtëpi, shumë e lehtë për t’u përgatitur me një dimension të fortë shijeje për t’u ëmbëlsuar.
Si të përgatisim sheqerparen krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit për brumin
250 gramë miell
100 gramë gjalpë
100 gram sheqer
1 kokërr vezë
2 lugë gjellë kos i bardhë
1 lugë e vogël me maja për ëmbëlsira
Pak kripë
Disa thelpinj arrash dhe bajamesh
Për përgatitjen e sherbetit
200 gramë sheqer
200 ml ujë
2 lugë lëng limoni
1 lugë çaji me vanilje pluhur
Procesi i përgatitjes
Si fillim përgatisim sherbetin. Bëni kujdes që sherbeti të jetë i ftohtë në momentin që do t’u hidhet ëmbëlsirave.
Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr që të vlojnë.
Në momentin që nisin të zjejnë, hedhim lëngun e limonit dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 5 minuta.
Më pas, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Ndërsa sherbeti ftohet, nisim përgatitjen e sheqerpareve.
Në një enë të bollshme hedhim miellin, majanë, sheqerin, vezën, kosin dhe i përzjejmë që të gjitha bashkë derisa të njëtrajtësohen, më pas, hedhim gjalpin e shkrirë dhe pak fare kripë.
I përzjejmë me dorë të gjithë përbërësit derisa masa e përftuar të jetë e njëtrajtshme.
Më pas në një tavë shtrojmë letrën e kuzhinës, ndajmë brumin në forma ovale të sheshta dhe në mes krijojmë një gropëz të vogël ku vendosim nga një thelpi arre ose bajame.
Të gjitha sheqerparet e përgatitura i shtrojmë me rregull në tavë.
Sheqerparet të mos i vendosni shumë pranë njera tjetrës sepse gjatë procesit të pjekjes do fryhen në përmasat e tyre.
Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë celcius. Pasi furra të jetë nxehur fusim tavën me sheqerpare dhe i lëmë të piqen përreth 30 minuta derisa sheqerparet të marrin ngjyrë të praruar, të artë.
Pasi shqeqerparet janë pjekur, i heqim nga furra dhe siç janë të nxheta u hedhim përsipër sherbetin e ftohtë.
I vendosim në një pjatancë me rradhë dhe më pas i servirim për ti shijuar me familjen ose me miqtë.
Për shkak të ëmbëlsisë së saj, mos e tepëroni me konsumimin e tyre në sasi të madhe por të konsumoni vetëm një.
Burimi: AgroWeb.org