Këtë të premte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur në qytetin e Kukësit. Në fjalën e tij para mbështetësve të PD, Basha u shpreh se kuksianët do ti prijnë fitores në 25 prill.
Sipas Bashës, qeveria dhe kryeministri Rama e kanë diskriminuar Kukësin, por sipas tij ka ardhur ora e llogarisë.
“Mirëse ju gjej në Kukësin e bujarësisë, fisnikërisë dhe në Kukësin që do t’i prije fitores. Për 8 vjet qeveria dhe kryeministri në ikje e kanë shkelur Kukësin me këmbë, ka shkatërruar ekonominë tuaj familjare, ju ka nëpërkëmbur dhe përbuzur. Por i kanë bërë hesapet gabim, ora e llogarisë po vjen. Në 25 prill është dita e madhe e ndryshimit.
Kukësianët do të jetojnë me dinjitet, me punë dhe paga dinjitoze këtu në Kukësin tuaj në Kukësin tonë. Shumë shpejt do të marrë fund diskriminimi”, u shpreh Basha.
Më pas Basha premtoi për hapjen e një universiteti. “Mbyllja e Universitetit…Ju jap fjalën se një ndër inkubatorët e teknologjisë së informacionit në bashkëpunim me universitetin e njohur në Austri, do të hapet këtu në Kukës. Kukësi do kthehet jo thjesht në një qendër kualifikimi, por do ta kthejmë në atë që e ka bërë zoti, kryeqendrën e verilindjes”.