Në shtatë javë Erzeni ka koleksionuar dy fitore, dy barazime dhe tri humbje, duke qenë aktualisht në vendin e shtatë me tetë pikë të grumbulluara. Këtë të diel në orën 18:00 në stadiumin “Niko Dovana”, Erzeni do të luajë derbin kundër Teutës. Pas humbjes në Kukës, shijakasit janë rikthyer me këmbë në tokë dhe tashmë po përgatiten për të bërë kthesën pikërisht në derbi. Skuadra është stërvitur normalisht në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, ndërsa në prag të ndeshjes me Teutën është konfirmuar mungesa e qendërmbrojtësit Nehar Sadiki.
Ky i fundit, me kartonin e verdhë të marrë në Kukës, plotësoi numrin katër të tyre dhe është i detyruar të mungojë ndaj Teutës këtë javë. Duke shtuar këtu edhe largimin para kohe të mbrojtësit tjetër, Adolf Selmani, alternativat për trajnerin Deliallisi zvogëlohen ndjeshëm.