Nga Njësia 2, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj ka ironizuar koalicionin e çiftit Berisha-Meta, të cilët sipas tij nuk kanë bërë asnjë aktivitet në Tiranë që pas hapjes së fushatës në stadiumin “Arena Kombëtare” para 3 ditësh.
Veliaj tha se, sipas tij, me sa duket, ata janë duke lëpirë plagët nga fakti se e lanë Sali Berishën vetëm në stadium.
“E keni vënë re, nuk kanë bërë asgjë në tre ditët e fundit? Që kur iu dështoi stadiumi, nuk kanë dalë nga shtëpia. Duhet me i parë në sy dhe me u thënë dilni bëni ndonjë aktivitet se edhe 20 ditë fushatë kanë mbetur. Një ditë është 5% e fushatës, kurse ata kanë tre ditë pa dalë, ikur 15% e fushatës. Janë duke lëpirë plagët që lanë Saliun tek pullë aty. Dilni se na duhet të kemi debate, dilni se na duhet të takohemi me njerëzit dhe të ndajmë ndonjë ide. Por, përtej humorit, i mirëkuptoj në fakt, asnjë nga ne nuk do dilte nga shtëpia nëse do e kishim lënë udhëheqësin tek pullë vetëm në mes të stadiumit”, u shpreh ai.