Milan Skriniar i ka thënë jo rinovimit me Interin. Një ditë pas fitores në Superkupën e Italisë ndaj Milanit, agjenti i mbrojtësit në skadencë informoi drejtuesit e zikaltërve se lojtari dëshiron të vlerësojë edhe ofertat e tjera. Sinjali i qartë se qëndrimi i sllovakut në Milano është shumë më se i vështirë. Marotta, i cili ditët e fundit ka thënë se është optimist, ka bërë më të mirën ekonomikisht.
Inter nuk shkon më shumë se 6.5 milionë euro në vit, ndërsa përflitet se PSG ka ofruar 9. Distanca është shumë e madhe dhe e pamundur që Zhang të rivalizojë ofertën e klubit francez. Te zikaltrit, optimizmi tashmë është zhdukur: duke përjashtuar një vendim të zemrës, i cili në këtë pikë do të ishte i bujshëm, mbrojtësi do të largohet nga Inter në fund të sezonit.
Marotta dhe Ausilio, të dorëhequr, por të bindur se kanë bërë gjithçka për ta mbajtur atë, tashmë po punojnë për të gjetur një zëvendësues për t’ia dhënë Inzaghit.