Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka reaguar sërish për sulmet kibernetike.
Duke iu referuar informacioneve më të fundit që kanë publikuar hakerat, Berisha ka dhënë alarmin se vendi është në rrezik.
Janë 105 mijë emra shqiptarësh të dyshuar, të hetuar nga policia për krime nga lloje më të ndryshmet, që janë shpërndarë së fundmi nga hakerat.
“Denoncoj vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, me gjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti, që funksionon si një shtet i mafies.
Njoftimi i mëparshëm rezulton 100 përqind i vërtetë. Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të policisë së shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet.
Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale.
Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit.
Është ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore, dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen”, është shprehur Berisha.