Ruzgis është lojtari i momentit te skuadra e Vorës. Ekipi vorak vijon me përgatitjet për ndeshjen e radhës, që do ta luajë në Pogradec. Vorakët do të kërkojnë të vijojnë serinë e rezultateve pozitive dhe kjo nuk do t’i lihet rastësisë. Megjithatë kjo ndeshje parashikohet të jetë e fortë, pasi edhe në shtëpi skuadra vorake e ka pasur mjaft të vështirë fitoren 1-0 ndaj Pogradecit në fazën e parë. Ka qenë një penallti dhe këmbët e arta të Manfredas Ruzgis, që Vora mori atë trepikësh në fundin e takimit. Tashmë sulmuesi kryesor do të jetë prezent kundër Pogradecit, pasi ka shlyer detyrimin e 4 kartonëve, duke munguar kundër Korabit.
Ruzgis kërkon t’i shënojë përsëri pogradecarëve: ”Rikthehem më i fortë se më parë dhe shënoj sërish kundër Pogradecit. E kam ende të freskët këtë ndeshje ku kemi humbur shumë raste, por fati ishte me ne sepse fituam me të drejtë një penallti që unë e ktheva në gol duke shërbyer me tri pikë të arta.
Këtë radhë, mendoj se do ta kemi më të lehtë, pasi e njohim kundërshtarin dhe nuk kemi mungesa. Duke qenë ekipi i plotë, jam plotësisht i bindur se Vora do ta mbyllë këtë vit me fitore. Ne nuk do të ndalemi në rrugën tonë të nisur drejt elitës. Do ta shihni në fund të sezonit se Vora do të konkurrojë me ekipet elitare, në Superiore”, thotë sulmuesi.