Një pjatë që frymëzohet nga dieta mesdhetare, e pasur me të gjitha shijet klasike.
Kinoa tanimë është një produkt që po futet gjerësisht në kulinarinë botërore, por edhe atë shqiptare.
Ju sjellim një kombinim perfekt dhe plot shije i cili i dhuron trupit fibër, magnez, hekur, zink e folate.
Provoni ta shijoni me familjarët tuaj këtë pilaf me kinoa dhe perime, dhe do të mbeteni të kënaqur pafund.
Përbërësit
1 gotë me kinoa
2 gota me lëng perimesh ose ujë
1 lugë gjelle vaj ulliri
1 thelbi hudhër
1 qepë mesatare
Kripë
1 spec i kuq
50g ullinj
100g domate të thara
Borzilok i freskët
Piper i zi
Përgatitja
Nisni me larjen e kinoas me ujë të bollshëm duke përdorur një sitë, duke qenë se kullorja është me vrima të mëdha.
Pasi ta keni larë kinoan, lëreni të kullojë ujin e tepërt.
Ndërkohë vendosni në zjarr një tigan me vaj ulliri që të ngrohet.
Tregoni kujdes që zjarri të jetë i ulët ndryshe vaji do të digjet dhe do të prishë shijen e pjatës.
Qëroni dhe grini sa më imët qepën, ndërsa hudhrën shtypeni.
Kur vaji të jetë ngrohur hidhini qepën e hudhrën dhe lërini të skuqen lehtë derisa qepa të kthehet në transparente.
Shtoni kinoan dhe përziejeni me qepën dhe hudhrën në mënyrë që të marrë shije sa më mirë.
Hidhni tani kripën dhe piperin e zi për shije, më pas shtoni edhe lëngun e perimeve ose thjesht ujin.
Lëreni që të kthejë valë dhe ulni zjarrin pothuaj fare në mënyrë që uji të avullojë ngadalë.
Ndërkohë në një tavë të vogël shtroni letër pjekjeje dhe vendosni aty specin e prerë në shirita të hollë.
Futeni tavën në furrë të ngrohur me 180 gradë dhe piqeni për 8-10 minuta.
Mjafton që speci të zbutet dhe të marrë aromën e mirë të pjekjes.
Kur kinoa të jetë gati kalojeni atë në një tas apo enë të madhe, shtoni ullinjtë, specin e pjekur, domatet e thara, borzilokun e freskët.
Përziejeni mirë kinoan me përbërësit e tjerë dhe provojeni për shije, nëse e shihni që ka nevojë për kripë apo piper shtojini.
Lini tasin për 10 minuta në mënyrë që përbërësit të marinohen dhe më pas mund ta shërbeni.