Skënderbeu e ka mbyllur merkaton verore me një lajm që i jep qetësi dhe forcë skuadrës. Marko Ramos do të vazhdojë rrugëtimin me bardhekuqtë. Pas disa javësh pasigurie dhe diskutimesh mbi të ardhmen e tij, mbrojtësi brazilian ka vendosur të qëndrojë në Korçë dhe tashmë është rikthyer në stërvitje me ekipin.
Ramos ka qenë një nga shtyllat kryesore të prapavijës së Skënderbeut dhe dilema e largimit të tij kishte krijuar shqetësim te tifozët. Megjithatë, pas reflektimit dhe bisedimeve me drejtuesit e klubit dhe stafin teknik, është arritur marrëveshja për vazhdimësinë e bashkëpunimit. Vendimi nuk ishte i lehtë, pasi lojtari kishte marrë në konsideratë disa oferta, por në fund zemra e tij mbeti në Korçë. Synimi është i qartë, Ramos do të japë kontributin maksimal për rikthimin e menjëhershëm të Skënderbeut në Kategorinë Superiore. Vetë lojtari reagoi publikisht me një mesazh që emocionoi tifozët bardhekuq.
“Jam rikthyer! Më falni për vonesën, por jemi sërish bashkë. ‘Ujku i Dëborës’ nuk e lë kurrë tufën e tij”, shkruan qendërmbrojtësi, duke mbyllur përfundimisht çdo zë largimi nga Skënderbeu. Ky rikthim është pa dyshim një fitore e madhe për Skënderbeun, i cili tashmë e sheh repartin defensiv më të sigurt dhe projektin për rikthim në elitë më të plotë se kurrë. Nëse kap shpejt formën, 26-vjeçari mund të luaj që në sfidën e radhës me Ilirinë në Korçë.