Pas disa orësh pritet të nisë protesta e opozitës me moton “O sot, o kurrë” e cila do të mbahet nga demokratët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë në orën 17:30 të pasdites.
Protesta është thirrur nga deputetët e Rithemelimit me në krye Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën, pasi ish-kryeministri nuk mund të jetë në shesh pasi është në “arrest shtëpie”.
Opozita ka marrë leje 4-5 orë për mbajtjen e këtij tubimi, ndërsa në terren do të jenë rreth 1,200 efektivë policie.
E teksa demokratët janë nisur me makinat e tyre private nga të gjitha qytetet në vend, policia ka nisur rrethimin me gardh metalik Kryeministrinë, ku është edhe zona ku do të mblidhen qytetarët.
Në nisje të protestës rreth gardhit metalik do të vendosë kordoni i policisë, ndërsa drejt fundit është edhe ndërtimi i podiumit ku do të flasin liderët dhe jo vetëm.
Ndërkohë kujtojmë që opozita ka marrë leje 4-5 orë për mbajtjen e këtij tubimi, ndërsa në terren do të jenë rreth 1,200 efektivë policie.
Mësohet se nga Lushnja janë nisur 1 mijë demokrat nga strukturat e PD, Nga Shkodra janë nisur 600 persona, nga Fieri 700, 720 nga Korça, 300 nga Pogradeci, 200 nga Devolli, 200 nga Maliqi dhe 17 nga Kolonja.
Kjo do të jetë e para protestë pa praninë fizike të Sali Berishës, i cili do t’i drejtohet protestuesve me një mesazh dhe fjalë online nga shtëpia e tij.
Edhe pse jo fizikisht, lideri i demokratëve mesazhin e tij për protestuesit do ta japë përmes teknologjisë, duke mbajtur një fjalim nga dritarja e banesës së tij, që do të transmetohet në një ekran, i cili do të vendoset përpara selisë së Kryeministrisë.
Protesta e thirrur nga Rithemelimi ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Mësohet se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.
Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.