Pogradeci e nisi sezonin 2024-2025 me profil të ulët në Kategorinë e Parë, për vetë faktin se vinte nga Kategoria e Dytë. Në pjesën e dytë të sezonit, me ndryshimet që patën në drejtim dhe me financimin e presidentit Armand Lilo, liqenorët u bënë pretendentë seriozë dhe “flirtuan” me ngjitjen në Superiore. Këtë sezon klubi liqenor kërkon të përforcohet dhe për momentin Pogradeci ka bërë firmën e parë dhe ai është Alesio Caushaj.
Mesfushori vjen nga ekipi Znojmo FK, që garon në ligat çeke, duke sjellë me vete përvojë ndërkombëtare dhe cilësi teknike në repartin e mesfushës. Pas një periudhe në futbollin çek, Caushaj rikthehet në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në synimet e Pogradecit për sezonin e ri. 21-vjeçari është prodhim i akademisë së Tiranës, pasi në vitin 2019 ka qenë pjesë e klubit bardheblu.
LARGIMET TE POGRADECI
Pas Shkulakut, Berberit, Ivanit, Kasmollarit dhe Beçkës, i larguari i radhës nga liqenorët është Festim Alidema.
Sulmuesi shqiptar i Kosovës, rezultoi si një nga goditjet e Pogradecit gjatë sezonit të fundit në Kategorinë e Parë. Edhe pse u bashkua me vonesë me liqenorët, 27-vjeçari e tregoi veten duke rezultuar vendimtar në disa ndeshje, madje edhe në fazën “play off”.
Por tashmë bashkëpunimi mes palëve nuk do të vazhdojë dhe ndeshja finale me Tiranën, ku synohej ngjitja në Superiore, rezulton të jetë e fundit për sulmuesin anësor nga Gjilani. Lajmi është konfirmuar nga vetë Alidema nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.