Pogradeci është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës së madhe: rikthimit në Superiore pas 15 vitesh mungesë. Liqenorët po bëjnë përgatitjet e fundit për sfidën më të rëndësishme të sezonit, atë të së dielës në Laç, një duel që mund të vendosë fatin e gjithë kampionatit. Kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi, skuadra pogradecare përballet me rivalin që e ka ndjekur hap pas hapi gjatë gjithë sezonit.
Kapiteni Vangjel Zguro, një nga liderët e kësaj skuadre, e konsideron këtë përballje si provën vendimtare për të treguar se kush e meriton Superioren. “Skuadra vjen në këtë ndeshje me moral shumë të lartë, pasi vijmë nga 9 fitore radhazi dhe sigurisht që kërkojmë edhe të dhjetën. Ndeshje të tilla tregojnë realisht se cila skuadër e meriton të jetë sezonin e ardhshëm në Superiore. Ne do ta tregojmë në fushë dhe me rezultat se e meritojmë këtë ngjitje”, deklaroi kapiteni pogradecar. 33-vjeçari ka qenë një nga shtyllat e skuadrës këtë sezon, duke luajtur 27 ndeshje dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në fazën sulmuese me 4 gola vendimtarë, pavarësisht rolit si mbrojtës i majtë.
Mesazhi i tij për tifozët ishte i drejtpërdrejtë dhe plot besim: “Si kapiten i ekipit, u premtoj tifozëve tanë se do të bëjmë maksimumin dhe do të dalim me tri pikë nga Laçi. Pas 15 vitesh mungesë, duam ta rikthejmë Pogradecin aty ku e meriton, mes skuadrave elitare. 19 prilli është dita për t’u bashkuar të gjithë drejt stadiumit ‘Laçi’, për të qenë së bashku dëshmitarë të suksesit të kësaj skuadre”. E diela pritet të jetë dita e së vërtetës për Pogradecin. Një fitore në Laç do të ishte shumë më tepër se tri pikë: do të ishte porta drejt Superiores dhe shpërblimi i një sezoni të tërë sakrificash. Tani mbetet vetëm fusha të flasë.