Pogradeci është skuadra që do të vazhdojë më tej rrugëtimin e saj në “play off” për ngjitjen në Superiore, pasi ka mundur Burrelin në “Liri Ballabani”, duke i eliminuar matjanët nga gara. Liqenorët e drejtuar nga trajneri Ardian Mema u treguan më konkretë në pjesën e parë të ndeshjes, duke sulmuar e gjetur avantazhin me Krasniqin. Goli i shënuar në pjesën e parë nga Jeton Krasniqi vulos fitoren me aromë finaleje, pasi me këtë fitore Pogradeci do të luajë ndeshjen finale përballë Besës, pas ndeshjes, trajneri i Pogradecit, Ardian Mema deklaroi se ekipi i Burrelit është një nga ekipet më të forta, dhe se ndaj Besës, kërkon që ekipi të mbajë lart nivelin.
“Duhet thënë se Burreli është një nga ekipet më të forta në kampionat, edhe e kishim përgatitur mirë ndeshjen, por e dija që do hasnim vështirësi. Ishte një ndeshje me specifikë të vecantë, për faktin sepse nuk do të duhej vetëm të fitosh, ne shfrytëzuam atë momentin që na u dha dhe shënuam gol, por jo çdo gjë na shkoi ashtu si e menduam. Është një përballje e fortë ndaj Besës, 6 ekipet e para kanë qenë shumë të forta, ndonjëherë më është dukur si Superiore e vogël, kjo është ajo pjesa që duhet ta përgatisim shumë mirë, ekipin duhet ta mbash të karikuar gjithë kohës, nuk ka më vend për gabime, dhe kjo është ajo pjesa, sidomos kur ke ecuri pozitive, duhet ta mbash atë, kjo ka qenë biseda që kam bërë me lojtarët.
Nëse nuk e mbajmë ritmin, dmth jemi ekip i vogël. Megjithatë, kemi treguar se kemi fituar në Vlorë, kemi fituar me Vorën, kemi fituar ndeshje rresht dhe kjo më kënaq. Kemi disa probleme me ndeshjet në transfertë, por që deri më tani jam i gëzuar me ekipin.Gjithmonë trajneri kërkon dicka më tepër te ekipi, qoftë si lojë qoftë si rezultat, megjithatë do të shohim në vazhdimësi sesi do të shkojnë gjërat,” ishte deklarata e Ardian Memës.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:VIDEO/ Duhet të mbaj të karikuar ekipin, Ardian Mema flet për ndeshjen me Besën: Përballje e fo… […]
Comments are closed