Recetat e brumit janë perfekte dhe në familjet shqiptare ato nuk mungojnë asnjëherë.
Sot ju tregojmë një recetë të shijshme të cilën mund ta përgatisni për mëngjes, por edhe për një ëmbëlsirë të shijshme.
Ndiqni hapat e shpjeguar ngadalë dhe shijojeni me të dashurit tuaj sa herë që të dëshironi diçka me shije delikate.
Përbërësit
- 400 gr miell
- 9 gr maja buke
- 2 lugë sheqer
- 1 lugë me gjalpë
- 3 gota me qumësht të vakur
- Për mbushjen:
- 150 gr çokokrem
Përgatitja
Pasi të pastroni mirë tavolinën hidhni aty miellin dhe hapni një hapësirë në mes në formën e një grope.
Në një gotë hidhni majanë e freskët, sheqerin dhe qumështin e vakët.
Sapo majaja të jetë aktivizuar hidheni tek gropëza që hapët tek mielli bashkë me gjalpin.
Nisni ta punoni ngadalë me duar duke nisur nga mesi drejt skajeve, duke formuar brumin.
Sigurohuni që brumi të mos ngjitet dhe sipërfaqja e tij të jetë e lëmuar gjithashtu edhe pa pore.
Ju këshillojmë që ta lini brumin për 1 orë derisa të dyfishohet në masën e vet.
Pasi të kalojë koha e nevojitur ndajeni brumin në dy pjesë të barabarta dhe punojini lehtë.
Merrni një tavë të rrumbullakët dhe lyeni lehtë me pak gjalpë ose vaj.
Pjesën e parë të brumit me ndihmën e një petësi hapeni në një petë sa fundi i tavës.
Tani shtroni çokokremin duke u munduar që ta përhapni në mënyrë të njëtrajtshme.
Pasi të hapni petën tjetër dhe vendoseni me kujdes mbi të parën, duke u siguruar që të mbuloni plotësisht çokokremin.
Tani është koha e prerjes së pogaçes për t’i dhënë formën e duhur.
Me ndihmën e një thike ju këshillojmë që të bëni një kryq të petës.
Më pas vazhdoni të bëni prerje në formën e trekëndëshave, njësoj si me picën.
Merrni një nga trekëndëshat dhe përdridheni dy ose tri herë dhe shtypeni lehtë me dorë.
Pamja përfundimtare do t’i ngjasojë një ylli.
Mbulojeni me një qese kuzhine dhe lëreni të pushojë pogaçen për 15 minuta në mënyrë që të fryhet brumi.
Më pas futeni për t’u pjekur në furrë të ngrohtë me 170 gradë derisa të shihni që pogaçja ka marrë një ngjyrë të artë në sipërfaqe.
Nëse dëshironi mbushjes mund t’i shtoni edhe arra të thërrmuara për t’i dhënë një shije akoma edhe më të mirë.