Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA i është afruar 500-mijëshit, ndërsa fushata e vaksinimit ka marrë hov dhe numri i rasteve të reja është në rënie.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja ka konfirmuar 498,880 viktima deri të dielën mbrëma.
Shifra e zymtë vjen derisa ky vend po del nga vala e tretë e virusit.
Rastet e reja, shtrimet në spital dhe viktimat kanë rënë dukshëm në javët e fundit, pas një rritjeje masive gjatë dimrit.
Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se pandemia nuk ka mbaruar ende dhe se shqetësim i veçantë janë variantet e reja të virusit – disa prej të cilave duket se përhapen më shpejt.
Numri global i viktimave është afër 2.5-milionshit, edhe pse shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë.
Në Gjermani, izolimi i pjesshëm që nga nëntori ka ndihmuar në rënien e rasteve në javët e fundit, kanë thënë autoritetet atje.
Si kudo tjetër në BE, fushata e vaksinimit në Gjermani është duke shkuar ngadalë, për shkak të pengesave në furnizim.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Qeveria ka planifikuar të vaksinojë çdo të rritur deri në fund të korrikut.
Më shumë se 17 milionë njerëz në Britani kanë marrë deri tani dozën e parë të një vaksine kundër koronavirusit – ose pothuajse një në tre të rritur.
Koronavirusi ka prekur mbi 111 milionë njerëz në të gjithë botën.
SHBA-ja është vendi i goditur më keq, ndërsa në Evropë vendet më të goditura janë: Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja.