Një mënyrë fantastike për të ndezur shijen e mirë të gatimit në gjithë familjen. Sigurisht petullat mbeten ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve.
Me djathë a me reçel, me mjaltë a me kanellë, petullat janë ndër recetat më ndjellëse të shijes.
Sidomos kur ato përgatiten nga duart e nënave dhe gjysheve, është e pamundur tu rezistosh.
E sigurisht, sapo nis të hash një prej tyre nuk mund të ndalësh pa ngrënë edhe disa të tjera.
Më poshtë keni një recetë fantastike të përgatitjes së petullave me lule Kungulli.
Lulet e Kungullit janë ndër produktet më të freskëta të stinës ndërsa i japin një shije të lehtë dhe delikate.
Ato shndërrrohen në një gatim fantastik teksa përgatiten si petulla, një mënyrë tradicionale e përgatitur nga amvisat shqiptare.
Shoqërohen në mënyrë fantastike me kos por edhe me djathë të bardhë.
Përgatitja e Petullave të Shtëpisë me Lule Kungulli
Përbërësit
300 gr Lule Kungulli
2 gota uji me miell
1 gotë uji me kos
1 kokërr vezë
Gjysmë luge kafeje me sodë
Vaj
Pak kripë
Pak gjalpë (një lugë të vogël)
Përgatitja e petullave
Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën dhe pak gjalpë.
I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.
Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.
Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.
Lulet e Kungullit të pastruara dhe të kriposura i fusim në brumin e petullave.
Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.
Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.
Mund të përdorim një lugë gjelle për ndarjen e brumit për çdo petull.
Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.
Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.
Burimi: AgroWeb.org