Partizani vijon të ketë probleme me dëmtimet dhe kartonat gjë që pritet të ndikojë padyshim edhe në ndeshjen e radhës në kampionat, atë ndaj Bylisit në transfertë.
Kështu, të kuqtë nuk do të kenë sërish në dispozicion kapitenin David Atanaskoski. Lojtari nga Maqedonia e Veriut vuan një frakturë në brinjë dhe është ende në fazën e rikuperimit. Mbrojtësi i krahut të majtë nuk do të rrezikohet, e me shumë mundësi do të jetë jashtë edhe për ndeshjen e Kupës në mesjavë ndaj Elbasanit në çerekfinale. Në këtë formë, Atanaskoski do të mund të rikuperohet plotësisht dhe të jetë i gatshëm për sfidën e javës së gjashtë në Kategorinë Superiore, që përkon me derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës.
Ndërkohë, si zakonisht së fundmi, edhe në ndeshjen në transfertë ndaj Bylisit, do të mungojë mbrojtësi Marçelino Preka. Ky i fundit pritet që të rikthehet në dispozicion të trajnerit Oltijon Kërnaja në javën e ardhshme duke shpresuar që të lërë përfundimisht kalvarin e gjatë të problemeve fizike. Sakaq, do të duhet edhe pak më shumë kohë për të parë sërish në fushë Albers Kekon. Sulmuesi mungon prej ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Konferencës ndaj Kaljus teksa pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentin kruçiat.
Nga ana tjetër, po ashtu jashtë organikës do të jetë edhe Denis Sulo. Ndërkohë, lajmi i mirë për këtë përballje është rikthimi në dispozicion i Andi Janjevës. Mbrojtësi, nuk ishte pjesë e skuadrës në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Elbasanit për shkak se kishte plotësuar numrine kartonëve të verdhë e tashmë do të jetë një alternativë më shumë për repartin difensiv.
Megjithatë, problemet në lidhje me plotësimin e kartonëve vijojnë edhe për ndeshjen me Bylisin. Kjo për shkak se Xhuliano Skuka mori kartonin e katërt të verdhë në ndeshjen me Elbasanin e duhet të qëndrojë jashtë për t’u rikthyer në ndeshjen e Kupës dhe atë ndaj Tiranës në kampionat.