Partizani vijon me ritëm të plotë përgatitjet për ndeshjen e së enjtes së ardhshme kundër Dinamos, një derbi shumë i rëndësishëm për ecurinë, por edhe për prestigjin e ekipeve.
Partizani kërkon të konfirmohet konkurrues për katërshen, ndërsa blutë duan vendin e dytë. Partizani ka kryer normalisht stërvitje në dy ditët e fundit, teksa lajm i mirë për vetë trajnerin Abilaliaj është fakti se ai i ka të gjithë në dispozicion. Në stërvitjen e fundit me skuadrën është bashkuar edhe Gjergji Kote, i rikthyer nga Shpresat për shkak të një problemi muskulor. I riu është stërvitur i veçuar dhe kjo pritet të zgjasë edhe disa ditë. Ai mbetet në dyshim për sfidën e radhës.
Skuadrës në stërvitje i është bashkuar Gudjufi, i cili, sipas gjasave, do të jetë tërësisht gati për sfidën me blutë. Në fazën e fundit të rikuperimit është edhe Altin Bytyçi, i cili zhvilloi stërvitje edhe me ekipin Kombëtar. Pjesa tjetër e ekipit janë të gjithë të shëndetshëm dhe gati për ta nisur nga minuta e parë. Aktualisht, Partizani ndodhet në vendin e katërt në kuotën e 44 pikëve. Fitorja ndaj Skënderbeut dhe barazimi ndaj Teutës i dha një shkëputje me pikë kundërshtarit më të afërt si Elbasani.
FORMACIONI – Abilaliaj e nisi me skemën me tre në mbrojtje, por duket se i është dashur të ndërrojë shpejt mendje. Në dy ndeshjet e fundit, vlonjati e ka rreshtuar ekipin me klasiken 4-3- 3. Edhe kundër Dinamos nuk pritet të ketë ndryshime, me përjashtim të ndonjë emri në mbrojtje a në sulm.