Në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të, Partizani ka arritur një fitore të rëndësishme 1-2 në transfertë përballë Flamurtarit, në një sfidë me ritëm, polemika dhe emocione deri në fund. Takimi nisi me vrull për vendasit, që gjetën avantazhin shumë herët. Në minutën e 8-të, Maksuti realizoi një supergol nga distanca, duke mposhtur portierin Qirko me një goditje të fuqishme dhe të saktë. Momenti u shoqërua me protesta nga ana e miqve për një faull të mundshëm ndaj Hjumen në nisje të aksionit, por arbitri la lojën të vazhdonte, duke konsideruar gjithçka të rregullt.
Partizani reagoi gradualisht dhe arriti të rikthente baraspeshën në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 45-të, Sidibe u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe duke rikthyer besimin te të kuqtë para pushimit. Vetëm tre minuta pas nisjes së pjesës së dytë, në minutën e 48-të, Sidibe goditi sërish. Sulmuesi përfitoi nga një gabim i Veigës në mbrojtje dhe, i vetëm përballë portës, përmbysi rezultatin duke kaluar Partizanin në avantazh 1-2.
Flamurtari pati mundësinë e artë për të rikthyer baraspeshën në minutën e 74-të, kur fitoi një penallti. Megjithatë, portieri Qirko u shndërrua në hero për Partizanin, duke pritur goditjen e Markut nga 11 metra dhe duke ruajtur avantazhin e skuadrës së tij. Në minutat e mbetura, Partizani administroi me kujdes rezultatin, duke marrë tre pikë të rëndësishme në garën e kampionatit, ndërsa Flamurtari mbetet me keqardhjen e rasteve të humbura.
Një sfidë e luftuar, ku vendimtar rezultoi efikasiteti i Sidibes dhe ndërhyrja shpëtimtare e Qirkos nga penalltia.