Karton i kuq, penallti e humbur dhe gol në frymën e fundit: thriller në “Arena e Demave”

by KLIKOJE.AL

Një mbrëmje e mbushur me emocione, kartonë, penallti të humbura dhe gola dramatikë deri në sekondat e fundit, ku Partizani dhe Elbasani u ndanë në barazim 2-2, në një ndeshje që nuk i kurseu aspak momentet e forta.

Elbasani e nisi sfidën më mirë dhe gjeti avantazhin që në minutën e 21-të, kur Lajthia shfrytëzoi një hapësirë në mbrojtjen e të kuqve dhe dërgoi topin në rrjetë, duke heshtur përkohësisht tribunat.

Momenti që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes erdhi në minutën e 25-të. Huiman doli i vetëm përballë portës, u ndal nga portieri Janacek, ndërsa arbitri Hamiti akordoi faull para zone dhe i tregoi kartonin e kuq gardianit verdheblu, duke e lënë Elbasanin me një lojtar më pak. Pasojat u ndjenë menjëherë: trajneri Gvozdenovic sakrifikoi Diallon dhe hodhi në fushë portierin e dytë Totoshi, i cili u bë protagonist duke pritur goditjen e dënimit të Skukës në minutën e 28-të.

Partizani pati shansin ideal për të përmbysur gjithçka në minutën e 35-të, kur fitoi penallti pas kontaktit të Skukës me Tsaguen në zonë. Sulmuesi mori përsipër 11-metërshin, por topi përfundoi mbi tra, duke humbur një rast të artë për golin e dytë.

Megjithatë, këmbëngulja e vendasve u shpërblye në minutën e 41-të: Kola asistoi nga krahu i djathtë, ndërsa Skuka devijoi saktë në shtyllën e parë, duke barazuar rezultatin dhe ndezur sërish sfidën.

Pjesa e dytë u luajt me ritëm të lartë. Partizani përfitoi nga epërsia numerike dhe në minutën e 65-të, Isgandarli realizoi golin e përmbysjes, duke i dhënë të kuqve avantazhin 2-1 dhe duke krijuar idenë se fitorja ishte pranë.

Por Elbasani nuk u dorëzua. Me shpirt luftarak dhe sakrificë, verdheblutë rezistuan dhe në minutën e parë shtesë, Lajthia u shfaq sërish vendimtar, duke shënuar golin e barazimit 2-2 dhe duke rrëmbyer një pikë të artë në limite.

Një ndeshje dramatike, me gjithçka brenda: gola, karton të kuq, penallti të humbur dhe emocione deri në vërshëllimën e fundit. Në fund, Partizani dhe Elbasani u ndanë në paqe, por spektakli ishte fituesi i vërtetë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.