Partizani dhe Egnatia janë ndeshur plot gjashtë herë deri më tani, katër në kampionat dhe dy në Kupë, teksa, tani do të përballen edhe në “Final 4”, dhe do të jetë hera e shtatë dhe me siguri përbën një precedent të rrallë.
Kjo mes Partizanit dhe Egnatias përbën një betejë mes dy rivalëve më të mëdhenj të dy viteve të fundit. Në gjashtë beteja të tyre në këtë sezon, bilanci është në favor të “Demave” sa u përket rezultateve, por Egnatia ishte ajo që fitoi gjysmëfinalet e Kupës, duke përmbysur humbjen minimale të ndeshjes së parë.
Të kuqtë kanë arritur të fitojnë tri ndeshje, një në Kupë dhe dy në kampionat, kundrejt dy fitoreve të Egnatias në dy kompeticionet dhe një barazimi. Fakti është se kjo dyshe u përball vjet në finalen e titullit, që pa fitues pikërisht rrogozhinasit. Skuadra e Tetovës, në ndeshjet vendimtare ka ditur si të fitojë përballë “Demave” dhe mund të konsiderohet si rivalja më e sikletshme në të tilla beteja.
KALENDARI
Departamenti i Garave në FSHF ka përcaktuar datat e zhvillimit të ndeshjeve të fazës “Final 4”, ku do të përcaktohet kampioni i edicionit 2024/2025 të “Abissnet Superiore”, si edhe skuadrat që do të marrin pjesë në kualifikueset e UEFA Conference League.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Arena Kombëtare”, në periudhën 4–12 maj 2025. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 4 maj, ndërsa gjysmëfinalja e dytë më 5 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është planifikuar për datën 9 maj, ndërsa finalja për titullin kampion do të luhet më 12 maj. Pas përfundimit të kampionatit të rregullt, u përcaktuan edhe vazot e ekipeve për Final Four, ku Egnatia dhe Vllaznia janë pjesë e vazos së parë, ndërsa Dinamo City dhe Partizani janë pjesë e vazos së dytë.
Shorti për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet më 29 prill, në ora 12:00 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.