Një ditë pas denoncimit në media të skandalit në Vlorë, ku vajza zbuloi vetëm pas shtatëdhjetë ditësh që i ati nuk jetonte më, pasi e kishte shtruar në spital, ka reaguar drejtoria e Spitalit të Vlorës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, spitali bën me dije se Anila Zeqiri e kishte dërguar të atin në urgjencën e spitalit në 27 dhjetor për t’u larguar menjëherë dhe që prej asaj dite askush nuk është interesuar më për të. “Në datë 27 dhjetor, L. Z. është transportuar drejt spitalit me ambulancën e urgjencës, ku bashkë me të ndjerin ishte shoqëruese dhe e bija. Po në atë datë, kur mjeku i urgjencës triazhon rastin, ka kërkuar të komunikojë me vajzën, por ajo është larguar pa lënë asnjë të dhënë”, thuhet në reagimin e drejtorisë spitalore, e cila shton se vetëm në mars e bija ka kërkuar informacion për të atin, me pretekstin se ka bërë aksident me motor ditën që e nisi në urgjencë, duke u larguar, pa pritur as përfundimin e vizitës mjekësore dhe pa lënë numër kontakti.
“VAJZA GËNJEN”
Sipas të dhënave të spitalit, asnjë aksident nuk ka ndodhur në ditën e regjistrimit të pacientit në spital, duke e nxjerrë kështu denoncuesen gënjeshtare. “S’ka asnjë të regjistruar për aksident dhe për më tepër nuk figurojnë të dëmtuar që kërkojnë asistencë dhe hospitalizim për të vërtetuar pretendimin se ajo është aksidentuar dhe nuk ka qenë në gjendje për të lëvizur”. Për më tepër, veç vajzës, asnjë familjar tjetër i viktimës nuk rezulton të ketë kërkuar informacion për të, sipas spitalit. Aq më pak të kenë sjellë ushqime.
Në reagimin e Spitalit të Vlorës thuhet se vetëm në mars, kur denoncuesja është paraqitur, është pajisur me fletë-dalje për të ndjerin, ashtu siç e kërkon procedura. “Sipas fletës së daljes, referuar kartelës mjekësore, i ndjeri ka qëndruar vetëm dy orë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku brenda kësaj kohe i është dhënë ndihma e parë, është pajisur me ekzaminime mjekësore dhe është transferuar drejt Spitalit Covid 1, ku siç bëhet edhe me dije, ka humbur jetën”, citohet në reagimin spitalor, në të cilin ka edhe autokritikë mbi sjelljen e stafit. Për të bindur në vërtetësinë e variantit që japin, Spitali i Vlorës shprehet i gatshëm të bashkëpunojë për zbardhjen e së vërtetës.
“Në emrin e personelit mjekësor kërkojmë ndjesë për komunikimin aspak etik (të personelit mbështetës, në rastin në fjalë, shoferi i ambulancës) edhe sigurojmë që situata të tilla nuk duhet të ndodhin për asnjë arsye. Kërkojmë nga ana e organeve kompetente hetimin dhe transparencën e rastit duke vënë në dispozicion çdo të dhënë nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë”. Sipas kartelës mjekësore, i ndjeri ka qëndruar vetëm dy orë në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe më pas është transferuar drejt Spitalit Covid 1, aty ku dhe ka ndërruar jetë disa ditë më vonë. Nga investigimet e bëra rezultoi se babai i Anila Zeqirit kishte humbur jetën më 6 janar dhe trupi i tij mbahej në morg, mirëpo askush nga familjarët nuk ishte kontaktuar. Spitali kërkon që Prokuroria të hetojë rastin për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje.
Burimi: Panorama