Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi Greqinë të hyjë në bisedime mbi pretendimet territoriale në Mesdheun lindor, përndryshe do të përballet me pasoja.
“Ata ose do të kuptojnë gjuhën e politikës dhe diplomacisë, ose në terren me përvoja të dhimbshme,” tha ai në ceremoninë e hapjes së një spitali në Stamboll.
Ankaraja po konfrontohet me Greqinë dhe Qipron për të drejtat e kërkimit të naftës dhe gazit në Mesdheun lindor.
Të gjitha palët kanë mobilizuar forca detare dhe ajrore për të ritheksuar pretendimet e tyre në rajon.
“Ata do të kuptojnë se Turqia ka fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake për të grisur hartat dhe dokumentet e pamoralshme të imponuara,” shtoi zoti Erdogan, duke iu referuar zonave të shënjuara nga Greqia dhe Qiproja si zona të tyre ekonomike detare.
Ai theksoi se Turqia është “e gatshme për çdo eventualitet dhe rezultat”.
Ndërkohë, media turke njoftoi për tanke që po lëviznin drejt kufirit grek. Gazeta “Cumhuriyet” tha se 40 tanke po transportoheshin nga kufiri sirian për në Edrene të Turqisë veriperëndimore dhe publikoi fotografi të automjeteve të blinduara të ngarkuara në kamionë. Ende nuk ka konfirmime zyrtare për këtë lëvizje të raportuar nga media.
Komentet e presidentit turk vijnë pas njoftimeve të NATO-s se oficerët të Greqisë dhe Turqisë kanë nisur diskutime teknike për të ulur rrezikun e konfliktit të armatosur ose aksidenteve.
Të dy aleatët e NATO-s janë përfshirë prej javësh në një ngërç tensionesh në Mesdheun lindor, ku Turqia po eksploron tabanin e detit për rezerva energjetike, në një zonë që Greqia e konsideron si shelfin e saj kontinental.
Ankaraja thotë se ka çdo të drejtë të eksplorojë atje dhe akuzon Athinën se po përpiqet të rrëmbejë padrejtësisht një pjesë të burimeve detare.
Ndërkohë, luftimet e simuluara midis avionëve luftarakë grekë dhe turq mbi Detin Egje dhe Mesdheun lindor janë shtuar./ VOA