Orges Shehi foli para ndeshjes Teuta-Tirana, që do të luhet nesër 2 maj në stadiumin “Niko Dovana”. Bardheblutë kanë skuadrën më në formë të kampionatit, ndërsa do kërkojnë 3 pikët e radhës.
“Ana psikologjike është e mirë, edhe kjo për shkak të performancës dhe produktivitetit që kishim ndeshjen e fundit. Aq më tepër që ishte derbi. Shpresojmë që kjo anë psikologjike, dhe ky moral që e kemi të mirë, ta shfrytëzojmë dhe të jetë bonus për nesër.
Jo vetëm kundërshtari, që për mendimin tim do respekt, por edhe pozicion dhe situata që tri ndeshje janë nga fundi, e bëjnë shumë të rëndësishëm çdo moment të lojës. Jemi të vetdijshëm që kjo ndeshje do të thotë shumë për ne. Do futemi nesër për të dhënë maksimumin tonë.
Në pozicionin ku jemi, çdo ndeshje duhet luajtur për ta fituar. Me këtë synim do shkojmë nesër. Pavarësisht pastaj se çfarë prodhon fusha. Idea është e qartë, që do futemi me dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin nga ky takim.
Disa ish-lojtarë që kanë qenë në drejtimin tim, por edhe pjesë e Tiranës. Futbolli kështu është. Para disa viteve kanë qenë këtu, sot atje dhe nesër mund të jenë diku tjetër. Në çdo kampionat, lojtarët gjithmonë janë në lëvizje siç jemi dhe ne trajnerët. Kjo nuk është se përbën ndonjë specifikë të veçantë.
Nuk e di se çfarë mund të bëjnë të tjerët, nuk kam asnjëfarë interesi për çfarë bëjnë tjerët. Përqëndrimi është te ne, ne kemi fushën dhe për të marrë maksimumin aty.
Tare dhe Kobiljar? Janë dy lojtarë që ikin nga organika, dhe përderisa janë pjesë e skuadrës janë lojtarë të rëndësishëm. Sigurisht që mungesa e tyre do ndihet. Shpresojmë të mos jetë determinante. Djemtë e tjerë që do jenë në fushë, ose në organikë nesër, të bëjnë maksimumin për të plotësuar boshllëqet që na kanë lënë këto dy lojtarë”, u shpreh Shehi.