Oltijon Kërnaja ka folur para ndeshjes derbi, Tirana-Partizani. Për teknikun e “demave” do të jetë hera e parë, që e provon këtë ndjesi.
Kërnaja është parë si asistent i Milinkoviç në derbin e parë, që Partizani humbi me rezultatin 0-3 në stadiumin “Air Albania”. Trajneri aktual i të kuqve thotë në fjalën e tij se tashmë është histori tjetër.
“Atmosfera siç e thashë në javën e kaluar, është shumë e mirë brenda ekipit. Djemtë janë përgatitur. Dihet derbi që ka specifikë tjetër dhe adrenalinë tjetër, nga tifozët, lojtarët, stafi. Ka tjetër realitet dhe specifikë, jemi munduar ta përgatisim në mënyrën e duhur.
Zakonisht në derbi nuk është parë renditja e ekipeve. Gjithmonë kanë qenë të luftuar, pavarësisht pozicionit në tabelë. Si nga ekipi ynë dhe nga kundërshtari. Gjithmonë është luftuar për çdo top, do jetë çdo gjë në kuadër të luftës sportive. Nuk do nisemi nga renditja, e kemi parë ndeshjen e fundit, por nuk duhet. Të merremi vetëm me ekipin tonë. Jemi gati.
Derbi i fundit? Është komplet histori tjetër. Ne do presim të japim maksimumin, si çdo ndeshje që kanë dhënë çunat maksimumin. Duke luftuar për çdo top dhe në çdo centimetër fushe, për të respektuar fanellën e Partizanit dhe tifozët e tij të shumtë.
Është një ndeshje speciale, edhe për mua. Derbi i parë. Është ndeshja më speciale në Shqipëri, pavarësisht renditjes. Është derbi, do shohim dhe t’ja lëmë fushës.
Skuadra vazhdon të jetë po e njëjta, ndoshta mund të jenë në pankinë Skuka dhe Sembene. Nuk janë të gatshëm me 100% të formës se vijnë nga dëmtim prej 4-5 javësh. Preka vazhdon i dëmtuar. Djemtë e tjerë, kanë bërë goxha mirë këto kohë. Ekipi është i gatshëm besoj.
Tifozët tonë kanë ardhur. Kanë qenë prezent në të gjitha ndeshjet tona. Guerrilsat janë të pandashëm, janë tifozët numër 1 në Shqipëri dhe të pandashëm. Pavarësisht rezultateve të këqija në fillim, ata sërish na mbështetën. Besoj dhe i ftoj të na mbështesin nesër, kjo ndeshje përveç lojtarëve është më shumë në anën e tifozllëkut. Më shumë për ta, që t’i bëjmë krenarë me rezultat pozitiv nesër”, u shpreh Kërnaja.