Oltijon Kërnaja ka folur në prag të takimit që Partizani do të luajë me Egnatian. Kjo sfidë vlen për javën e 17-të të Superiores dhe do të zhvillohet nesër në stadiumin “Arena Egnatia”.
Kërnaja u pyet edhe për përbërjen e Egnatias me lojtarë që ishin pjesë po ashtu e formacionit të vitit. Këtu mund të preket edhe Adnard Mehmeti, që po ashtu u bë pjesë e 11 më të mirë nga sezoni i kaluar. Mesazhi i Kërnajës ishte i qartë.
Ecuria pozitive e Partizanit, besoni se mund ta mbani këtë performancë rezultatesh?
Besoj që po, përderisa çunat po vijnë në rritje. Gradualisht forma e të gjithëve është në rritje dhe shpresojmë që të vazhdojmë të mbajmë këtë ritëm.
Partizani ka provuar shijen e fitores në Rrogozhinë. A mund ta përsërisni këtë rezultat nesër?
Me besim të plotë. Ne shkojmë atje sigurisht për fitore edhe pse kemi respekt maksimal për ekipin e Egnatias, janë kampionët në fuqi, por ne shkojmë sigurisht për fitore atje.
Gjeni përballë një Egnatia me numrin më të madh të lojtarëve në formacionin e vitit si dhe kanë trajnerin më të mirë të vitit?
Futbolli falë zotit nuk luhet me ata që janë në formacionin e vitit, apo në gazeta. Futbolli luhet në fushë, në të kundërt nuk do të shkonim fare të luanim. Nëse do të niseshim nga “Mbrëmja Gala” nuk do iknim të luanim fare, kështu që do të fitonte Egnatia. Fusha ka treguar tjetër gjë, djemtë janë në formë, janë stërvitur shumë mirë. Shpresojmë të bëjmë një rezultat pozitiv pse jo edhe me fitore.
Shpresoni te një fundviti sa më pozitiv?
Fokusi ynë është Egnatia ditës së nesërme. Pas kësaj përballje do të mendojmë të përgatisim ndeshjen me Dinamon.
Merkato e janarit?
Janë çështje të brendshme të klubit. Grupi është. Ku ka nevojë ekipi të përforcohet ne e dimë dhe këto janë çështje shumë shpejt do jenë zgjidhur?
Dëmtimet dhe gjendja e skuadrës?
Atëherë janë rekuperuar pothuajse të gjithë, me përjashtim të Prekës i cili besoj do të rikthehet me Dinamon. Vazhdon i dëmtuar Doumbia i cili e ka mbyllur vitin dhe kthehet në janar. Rikthehet Martinez dhe pjesa tjetër janë të gjithë të gatshëm.