Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të ironizuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare dhe marrëdhënien e drejtësisë me ndërkombëtarët. Në një video të postuar së fundmi në rrjetet sociale, ai shfaqet në makinë me dy vajzat e tij, duke shkëmbyer batuta që shpejt u bënë virale.
Në videon e publikuar, njëra nga vajzat e tij e pyet me humor: “O ba, kalojmë një xhiro nga SPAK?” – duke iu referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është kthyer në qendër të debatit politik për shkak të goditjeve ndaj zyrtarëve të lartë.
Alibeaj, me të njëjtën dozë ironie, i përgjigjet: “S’ka nevojë Meg, kanë ardhur amerikanët.”
Batutat dhe videot e politikanëve shqiptarë në rrjetet sociale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, duke i afruar ata me publikun përmes një stili më të lirshëm dhe të drejtpërdrejtë. Komentet në rrjet kanë qenë të shumta, me disa që e kanë marrë me humor këtë moment, ndërsa të tjerë e kanë parë si një mesazh të nënkuptuar për rolin e ndërkombëtarëve në reformën në drejtësi.