Jasir Asani ishte një nga surprizat e këndshme të kombëtares së re të Sylvinho, me performanca të nivelit e golin e parë kuqezi. Natyrisht impakti që 28 vjeçari pati me Shqipërinë nuk mund të mos reflektohet në merkato. Pas shtatë muajsh pozitivë me Gëangju në Korenë e Jugut, me 20 ndeshje, 5 gola e 2 asist, Asani është pranë transferimit në një kampionat më prestigjoz.
Menaxheri i tij Ledjon Katundi, që jeton prej 10 vitesh në Poloni, tregon destinacionin e mundshëm të sulmuesit. “Për Jasirin janë interesuar shumë klube. Nga Bundesliga 1 dhe 2 kemi patur disa telefonata më pas mund të them se kemi biseduar edhe me drejtues klubesh nga Dubai dhe Arabia Saudite”, tha Ledion Katundi.
Në pesë vitet e fundit Katundi ka punuar me lojtarë të ndryshëm shqiptar, që janë transferuar në kampionate të ndryshme europiane. I fundit ishte Ëngjëll Hoti që firmosi për Lodz, por menaxheri bën të ditur se ka të tjerë lojtarë në Superiore, që janë interesantë për klubet e huaja.
Kampionati, edhe për meritë të kombëtares, tani e ka lehtësuar punën e menaxherëve, duke i nxjerrë lojtarët në vitrinë. Vështirësia më e madhe, sipas asaj që shpjegon Katundi, mbetet pasaporta jo komunitare.
E megjithatë, ky fakt nuk ka penguar që lojtarët shqiptarë të kenë gjithnjë e më tepër merkato në klubet e huaja, ndërsa për të mësuar emrat e radhës, duhet pritur edhe pak kohë.