Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare një nga tifozët më të thekur të Tiranës, por jo vetëm kaq. Ai ishte këpucari i thuajse të gjithë futbollistëve bardheblu për mbi tri dekada, njeriu që futi për herë të parë koncpetin e këpucëve të sportit me taka në vendin tonë, tek i cili “faleshin” edhe futbollistët e rretheve, sepse ishte vërtet duarartë në këtë profesion.
Në një reportazh emocionues me rastin e 80-vjetorit, Muhamed Hyka do të dëshmonte se Tirona për të ishte më shumë se besimi në Zot. Mjafton që t’i përmendje dy emra: Arben Minga dhe Agustin Kola. Vetëm kaq, nuk kërkohej më tepër që lotët t’i rridhin si të ishte një fëmijë i vogël, pasi shumë kujtimet i ngjallen në mendje.
Muhamed Hyka ka punuar për 31 vite si këpucar te klubi i Tiranës, duke qenë gjithmonë nga pas legjendave bardheblu. Prej aksidentit të pësuar, Muhamed Hyka nuk kishte mundur ta shihte Tiranën e tij në stadium, edhe pse dëshira kishte qenë gjithmonë e madhe.