Muço Boçi ka folur në prag të takimit. Teuta rikthehet të shtunën në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Tiranës. Ditën e djeshme, blutë kanë vijuar përgatitjet anti-Tirana, ku Teuta do të kërkojë suksesin. Në një intervistë, mesfushori Muço Boçi shprehet se ndaj bardhebluve do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai ka besim tek ekipi i tij që do të arrijë të marrë më të mirën.
SFIDA NDAJ TIRANËS-Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes, duam ta vijojmë me rezultatet pozitive ndaj Tiranës, por çdo ndeshje është një histori më vete. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje të mirë. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për këtë ndeshje. Dhe, siç e thatë edhe ju, nuk është e lehtë. Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin, por jemi të qetë.
Me presion, shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion. Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Ndërsa për Tiranën mund të them që janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët pavarësisht gjendjes që po kalojnë.
1 PIKË NDAJ TIRANËS-E thashë edhe më lart. Ne do të luajmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të trija rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe, si një pikë apo tri pikë, secila kanë rëndësinë e vet.