Qeveria ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2024. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave u shpreh se ky projekt-buxhet synon të mbështesë ekonominë dhe punësimin.
Ervin Mete: Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Projektbuxhetin 2024, i cili vendos një nivel të ri lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike që tejkalojnë 7 miliardë euro. Ambicja jonë është që siç kemi qënë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon.
Duke mbështetur rritjen e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.