“Kupa dhe kampionati janë të arritshme”, Luan Pinari komenton shortin e Kupës: Jam i kënaqur që do të përballemi me Vllazninë

by KLIKOJE.AL

Drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari, ka komentuar sot shortin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë që vendosi blutë përballë Vllaznisë. Ai insistoi se ekipi do të luftonte për këtë trofe, ashtu si edhe për titullin kampion nga i cili nuk ka hequr dorë, edhe pse momentalisht e sheh veten jashtë katërshes së parë.

Kampionë në fuqi dhe duhet që të mbroni titullin. Sa e rëndësishëm është në këtë fazë tani që përballeni me një skuadër si Vllaznia, pasi rivaliteti më shumë se kurrë është me këtë ekip?
Është një ndeshje që është shumë e vlerësuar nga ana jonë, sepse është një skuadër që është në vend të parë në kampionat dhe si ne i synon të dy trofetë. Kupa është një trofe shumë i rëndësishëm dhe themi që çdo kundërshtar në këtë fazë është shumë i vështirë. Themi se kemi një kundërshtar si Vllaznia që së bashku me ne jemi dy ekipet më të titulluara në këtë katërshe, por është e bukur të shohim një klasike të futbollit shqiptar siç është Dinamo dhe Vllaznia. Jam i kënaqur që jemi përballë Vllaznisë në këtë moment.

Referuar tabelës së klasifikimit në Superiore, a e shikoni Kupën si shpëtimin e sezonit?
Kupa ka diçka tjetër. Është normale që të ndihmon shumë për sezonin, por themi që kemi dhe një objektiv tjetër për arritje në katërshe në kampionat. Themi që të dyja janë mëse të arritshme, si Kupa dhe kampionati. Por Kupa të jep një shtysë shumë të madhe, për të thënë të vërtetën.

Referuar asaj që ka ndodhur në Abissnet Superiore, e shikon një sfidë brenda sfidës me shkodranët takimin gjysmëfinal në Kupën e Shqipërisë?
Absolutisht, së bashku me drejtorin e Vllaznisë, Sinanin, shtrënguam duart e i uruam fat njëri-tjetrit. Ato janë gjëra të kaluara. Futbolli që japin këto dy ekipe si Vllaznia dhe Dinamo, mendoj që do të shpaloset në fushën e lojës dhe do t’i respektojmë këto dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar siç është Vllaznia dhe Dinamo.

Dinamo është jashtë katërshes për momentin, ka edhe një fazë për të luajtur. Ka ndryshuar objektivat rrugës apo vazhdon të mbetet prioritet titulli?
Shiko këto oshilacione apo mungesë rezultati për shumë arsye, janë pjesa dëmtimet, por edhe fati në mes. Është edhe një fazë për të luajtur. Këto problematika që i kemi hasur ne mund t’i hasin edhe ekipe të tjera, por ne gjithmonë llogaritë do t’i bëjmë në fund të kampionatit. Tashmë kemi hyrë në një fazë që do t’i marrim ndeshjet një pas një, duke filluar nga fundjava me Teutën, pastaj me radhë. Jemi pak jo të kënaqur sepse jemi aktualisht jashtë katërshes, por gjithsesi besimi është që ne do të jemi në katërshe në fund të kampionatit.

Kjo do të thotë që vazhdon të jetë prioritet për klubin titulli kampion?
Kur themi hap pas hapi, është që të marrim pjesë në katërshe. Duke qenë në katërshe, pastaj do luftosh edhe për titullin kampion. Në qoftë se s’jemi në katërshe, pastaj s’ka çfarë lufton.

Si është situata në klub, humbja me Partizanin ishte dërrmuese në anën morale…
Jo, fjala dërrmuese është shumë e madhe. Është një humbje që s’lë shije të mirë, por situata është e qetë. Lojtarët e kuptojnë ku është rëndësia e kampionatit, në çfarë faze të kampionatit jemi. Përvojën që kanë do ta shpalosin në këtë fazë të katërt dhe mendoj që kualiteti dhe përvoja e këtyre lojtarëve dhe stafit, së bashku me drejtuesit, sidomos me presidentin, do të dimë që ta kalojmë këtë moment jo shumë të mirë të momentit dhe për të arritur aty ku e meritojmë në fund.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.