Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja u bënë vendet e fundit që i thanë “JO” përkohësisht “AstraZeneca”-s, duke iu bashkuar bllokut 17- anëtarësh të vendeve skeptike ndaj vaksinës, i cili zgjerohet nga dita në ditë.
Ndërkohë që ashtu si kompania, Organizata Botërore e Shëndetësisë përpiqet të ulë panikun, duke thënë se nuk ka lidhje me incidentet e raportuara. Përballë këtyre zhvillimeve në botë, është vendi ynë që vazhdon të sillet krejt normalisht, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Vetëm disa orë pasi 38 mijë e 400 dozat e “AstraZeneca”-s hynë në tokën shqiptare, pa u menduar dy herë, nisi procesi i vaksinimit sipas planit, me mësuesit, në një kohë që shtetet më të rëndësishme europiane vendosën të presin fjalën e EMA (Agjencia Europiane e Barnave). E vetmja siguri që u ofrohet mësuesve është ajo verbale, nga shefi i qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Në një intervistë për mediat, shefja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, la të kuptohej se ka pasur një pjesë që u është dashur të bëjë punë bindëse me disa mësues duke përjashtuar kategorikisht lidhjen midis “AstraZeneca”-s dhe mpiksjes së gjakut.
“Frika është pjesë e njeriut dhe për shkak të diskutimeve që po bëhen. Por në përgjithësi vaksinimi ka ecur mirë. Një pjesë e mirë e tyre duhen sqaruar në lidhje me të gjitha efektet dhe elementet pozitive që vaksinimi ka dhe që nuk ka asnjë lidhje shkakësore midis këtyre ngjarjeve dhe vaksinimit”. Në ditët e para të administrimit të dozave të ardhura përmes COVAX, i vetmi efekt anësor i raportuar, sipas Binos, është rritja e temperaturës.
“Mund të them nga 100 mësues, katër kanë pasur temperaturë”. “AstraZeneca” është vetëm një nga tri vaksinat e miratuara në Europë, por numri i madh i shteteve që kanë ngritur alarmin përbën një pengesë të madhe për vaksinimin. Nga afro 17 milionë njerëz të vaksinuar në Bashkimin Europian dhe Britani, janë raportuar 37 raste të mpiksjes së gjakut.
Burimi: Panorama