Korabi-Lushnja është një nga sfidat më kryesore në Kategorinë e Parë. Dy skuadrat janë në kuotë të barabartë pikësh me nga 26-të. Ekipi drejtuar nga Gugash Magani renditet në vendin e shtatë dhe ka vendosur kandidaturën për t‘ua marrë këtë vend dibranëve, pikërisht në duelin e drejtpërdrejtë me ta që do të luhet në Peshkopi.Mbrojtësi i krahut të djathtë Endrien Magani u shpreh.
“Është një ndeshje e vështirë, pasi Korabi ka një ekip që kërkon vlerësim maksimal. Ne shkojmë në Peshkopi të bëjmë lojën tonë dhe të marrim një rezultat pozitiv. Ne jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit aq më shumë që dihet se ka shkuar dy herë radhazi në fazën ‘play-off’.
Gjithsesi, Lushnja beson edhe te forca e saj. Jemi një ekip që punojmë mirë dhe e vlerësojmë shumë javën stërvitore. Pas një pune të përkushtuar, bindim veten se mund të fitojmë çdo ndeshje. Pastaj, në fushën e lojës, në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për Lushnjën dhe ne jemi gati që të shprehim të gjitha mundësitë tona. Të tregojmë më të mirën që ka ekipi dhe në fund të realizojmë synimet”. Përfundoi Magani.