Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së ka marrë disa vendime, ku spikat pezullimi me dy ndeshje i lojtarit të Partizanit, Human Lancaster Rowan, pas sjelljes josportive ndaj Sherif Kallakut që i kushtoi edhe kartonin e kuq. Ndërkohë, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, është paralajmëruar zyrtarisht për mosrespektimin e detyrimit për të dhënë intervistën pas ndeshjes.
Martini, i cili edhe në fundin e sezonit të kaluar kishte refuzuar të prononcohej pas takimeve, tashmë merr një paralajmërim të qartë nga Komisioni i Disiplinës. Në rast përsëritjeje, ai rrezikon masa të tjera disiplinore. Sipas vendimit të datës 27 gusht 2026, Martini është paralajmëruar në bazë të nenit 6/1/a të Kodit të Disiplinës dhe Etikës, pasi nuk ka respektuar detyrimin për daljen në intervistën pas ndeshjes, në kundërshtim me nenin 77 të Rregullores së Aktivitetit.
Në të njëjtën mbledhje, lojtari i Partizanit, Human Lancaster Rowan, është dënuar me 2 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, bazuar në nenin 14/1/b të KDE. Komisioni ka rrëzuar gjithashtu si të pabazuara kërkesat e lojtarëve të Partizanit U-18, Rei Zekaj, Riseld Hocja dhe Jon Caushi. Kundër këtyre vendimeve lejohet ankim brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit.