Klubet shqiptare kanë nisur të gjitha përgatitjet për ndeshjet që do të luajnë në kompeticionet europiane, ku kanë mundësinë e madhe të fitojnë të ardhura të rëndësishme, për të cilat kanë luftuar gjithë sezonin e shkuar. Egnatia, si kampione e vendit, do të marrë pjesë në Champions League, kompeticioni më i madh europian për klube. Rrogozhinasit e nisin nga turi i parë dhe renditen në vazon e skuadrave jofavorite.
Shorti i turit të parë është caktuar të hidhet më datë 17 qershor, pra pas afro dy javësh. Për klubin rrogozhinas janë 850 mijë euro të sigurta edhe nëse eleminohet nga Champions dhe Conference League në përballjet e para. Partizani,Vllaznia dhe Dinamo do të duhet të luftojnë shumë për të kaluar turet e Conference League , sepse për momentin tre klubet kanë siguruar vetëm 325 mijë euro, të cilave mund t’i shtohen edhe 350 mijë euro të kalimit në raundin e dytë.
Klubet shqiptare Egnatia,Partizani, Vllaznia dhe Dinamo kërkojnë prestigjin, por edhe të rrisin koeficentin e tyre që i vlen shumë edhe në të ardhmen, duke i vendosur pozita më të favorshme përpara shorteve të kompeticioneve.