Tre muaj pas vrasjes së Klodian Rashës në Rrugën ‘Dritan Hoxha’, Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar akuzën efektivit Nevaldo Hajdaraj.
Akuza e re sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës është ajo e ‘vrasjes me dashje’. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se Rasha ishte i paarmatosur dhe se arma e gjetur 200 m larg vendngjarjes është një model pistolete turke sportive e përshtatshme edhe per armë zjarri nuk ishte e viktimës.
Pas ekspertizës rezulton se arma nuk ishte e Rashës pasi nuk ka asnjë gjurmë të tij si papilare ashtu edhe ADN-je.
Policit të arrestuar për këtë ngjarje Nevaldo Hajdaraj, i është komunikuar akuza një ditë më parë në ambientet e paraburgimit. Fillimisht ai u arrestua me akuzën e ‘vrasjes në kapërcimin e kufijve të mbrojtjes së nevojshme’.
Hetimet zbuluan se vrasja ishte kryer me dashje dhe se mund të evitohej nga efektivi. Brenda pak ditëve dosja do te përfundojë në Gjykatën e Tiranës për ta gjykuar e dënuar Nevaldon për ‘vrasje me dashje’.
Klodian Rasha u vra mbrëmjen e 8 dhjetorit nga polici i Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj. Sipas këtij të fundit, 25 vjeçari nuk iu përgjigj urdhrit për të ndaluar pasi ishte në shkelje të orës policore të vendosur në kuadër të masave anticovid.
Gjithashtu në deponimin e parë polici deklaroi se Klodian Rasha e kishte kërcënuar me fjalë dhe një objekt në dukje si armë, ndaj ka nxjerrë armën duke e qëlluar për vdekje të riun. Por pamjet filmike si dhe hetimet rrëzuan të gjithë alibinë e ngritur prej efektivit të Shqiponjave.
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha solli një valë revoltash të dhunshme në vend si dhe dorëheqjen e Sandër Lleshaj nga posti i ministrit të Brendshëm.