Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë se qytetarët mund të kenë nevojë të vaksinohen kundër coronavirusit edhe për “shumë vite që do të vijnë”.
Sipas medieve të huaja, Merkel zhvilloi bisedime me guvernatorët e shtetit, përfaqësuesit e industrisë farmaceutike dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian të hënën, për të diskutuar mënyrat për të “forcuar” fushatën e ngadaltë të vaksinimit të vendit.
Duke folur para gazetarëve në një konferencë shtypi më pas, Merkel tha se situata me COVID-19 është “e ngjashme me vaksinën e gripit, ku ju ri-vaksinoheni kundër mutacionit të ri të virusit çdo herë”.
Ajo shtoi se pavarësisht shqetësimeve në lidhje me fillimin e ngadaltë të Gjermanisë për programin e saj të vaksinimit, ajo ishte me shpresë se çdo qytetari gjerman do të ofrohej një mundësi për tu vaksinuar deri më 21 shtator – pak ditë para se vendi të mbajë zgjedhjet kombëtare në të cilat ajo nuk do të garojë më për kancelare.
Ndryshe, deri të dielën, rreth 1.93 milion njerëz kishin marrë dozën e tyre të parë në Gjermani, një komb prej 83 milionësh, dhe 532,000 kishin marrë një dozë të dytë.
Për krahasim, Britania e Madhe, një vend me 67 milionë banorë, u ka dhënë gati 9 milionë njerëzve një vaksinë të parë.
Merkel gjithashtu tha se autoritetet shpresojnë që javën e ardhshme të kenë më shumë informacion në lidhje me variantet e coronavirusit, si dhe për çdo relaksim të mundshëm të kufizimeve të coronavirusit.
Por tani për tani, tha ajo, fokusi ishte në shtyrjen përpara të vaksinimit.
Burimi: Telegrafi