Skuadra e Skënderbeut është “shtangur” dje në stërvitje nga një grup tifozësh korçarë. Në seancën e djeshme, në kuadër të sfidës së nesërme kundër Kukësit, disa përkrahës të Skënderbeut, nën siglën e tifogrupit “Ujqërit e Dëborës”, kanë zbritur në fushën stërvitore dhe u kanë kërkuar lojtarëve të respektojnë fanellën e ekipit duke pasur parasysh situatën e keqe që skuadra po kalon në kampionat.
Biseda ka zgjatur disa minuta. Tifozët u bënë thirrje lojtarëve të bëjnë kthesë në sfidën kundër Kukësit, duke u kujtuar sukseset e ekipit në dekadën e fundit. Nga ana tjetër, tifozët premtuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për ekipin në të gjitha ndeshjet e mbetura për të nxjerrë Skënderbeun nga një vend që nuk i takon. Kryetifozi Armando Buda ka qenë i pari që i është drejtuar ekipit me qëllim për ta “shkundur” dhe prekur moralin e lojtarëve. “Jemi mbledhur këtu për një qëllim të vetëm, për t’iu motivuar dhe ‘shkundur’.
Nuk mund të përdhoset nga këto rezultate fanella e Skënderbeut. Nuk dua të akuzoj, pasi kampionati i tillë është, i çuditshëm, por ka lojtarë që bëjnë sikur luajnë dhe sikur djersitin për këtë fanellë, ku në fakt nuk bëjnë asgjë. Nuk mund të lejojmë paraqitje të tilla! Prandaj, nëse keni veshur këtë fanellë është fati juaj, por të paktën djersiteni dhe nderojeni. Nuk ju mungon asgjë, mbështetjen dhe stafin e keni. Dijeni që uniforma që ju keni veshur ne na rëndon shumë kur e shohim në këto nivele.
Nuk mund të pranojmë që Skënderbeu, i cili ka bërë histori në vitet e fundit, të katandiset kështu. Duam reagimin tuaj nga ndeshja e radhës. Duam të shohim 11 ‘ujqër’ në fushë, që luftojnë për triumf. Më pas, nëse ju jepni maksimumin dhe nuk ia dilni dot të merrni rezultat është pjesë tjetër, por të paktën jepeni më të mirën”, theksoi kryeti- fozi. Pas tij kryetari i grupimit “Ujqërit e Dëborës”, Genci Malësia, u mundua të ngrinte moralisht lojtarët. “Ju duhet të kuptoni se ku jeni. Jeni në klubin më të mirë në Shqipëri. Nuk ju mungon asgjë, as kushtet e stërvitjes, as ato të akomodimit. Presion nuk keni, mbështetjen e keni. Duhet të kuptoni se nuk po luani me Barcelonën, as me Vilarealin. Po luani në kampionatin ndoshta më të dobët të viteve të fundit.
Me Bylisin dhe Fierin po luani. Ndaj këtyre ekipeve duhet të fitoni që në dhomat e zhveshjes. Është mëkat të mos fitojmë dhe të bëjmë paraqitje të tilla. Keni bërë trajnerin me dhimbje koke, stafin po ashtu edhe klubin. Duhet të luani me nerv loje, të merrni shembull kohën e Liçit, se si hynte ky në fushë. Jeni me fat, ju ka rënë ‘bingo’ që jeni këtu në këtë klub”, mbylli Malësia fjalimin e tij para ekipit.
Burimi: PANORAMASPORT.AL